Jo vetëm me Edi Ramën dhe me bazën e Partisë Socialiste, por tashmë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duket se po braktiset edhe nga aleati i tij i “fshehtë”, Lëvizja Socialiste për Integrim.
Pas disa sulmeve publike që Veliaj ka bërë ndaj Presidentit Ilir Meta, duket se ka qenë radha e bashkëshortes së tij, njëkohësisht kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi, për t’i kthyer kryebashkiakut reston.
Në lidhje me procesin e rindërtimit të banesave në Tiranë, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka bërë një denoncim të fortë, ku sipas saj po bëhen pazare të pista.
E ftuar në emisionin “Java” në RTSH, Kryemadhi tha se, administratorët e Bashkisë së Tiranës po shkojnë në banesa të qytetarëve, duke i kërkuar të bëjnë deklarime të rreme, sikur shtëpitë janë dëmtuar nga tërmeti me synimin për të ndarë paratë.
Gjithashtu Kryemadhi tha se, disponon regjistrime për këto abuzime të cilat do t’i publikojë ditët në vijim.
“Tërmeti dhe pandemia nuk janë ato të cilave ai po i përkushtohet. A e dini ju çfarë ndodh në Kashar, në Vaqarr apo Kombinat? A e dini ju që administratorë të Partisë Socialiste shkojnë dhe i thonë banorëve do marrësh 22 milion lek për tërmetin, ty nuk të është prishur shtëpia, prish një derë këtu, një mur dhe të bëjmë proces-verbalin, ti do marrësh 5 milion lekë, 15 milion lekë do i marrim ne”.
Dhe i pyet ai: Po si do ja bëjmë? Dhe këta që ia kthejnë: Po hajde mo vëlla se ky iku tani!’
Pyetjes së gazetarit se, a keni raste konkrete për këtë që thoni, Kryemadhi është përgjigjur:
“I kemi raste, i kemi edhe të regjistruar administratorët dhe do t’ua nxjerrim kur t’ju vijë koha, kur të shkojë të inaugurojë shtëpitë. Abuzime të tilla të tmerrshme janë pafundësisht”.
/GazetaReforma.com/