Frederik Ndoci ose Riku, siç e thërrasin njerëzit më të afërt të tij ka zbuluar disa detaje nga e shkuara e tij, që nga “ceni” që i gjetën në biografi, deri tek gjithë tentativat, sipas tij, për ta bërë komunist, apo edhe kur e etiketonin si bashkëpunëtor të Vatikanit, KGB-së dhe CIA-s me letra anonime.
“Më tërhiqte magjia e filmit, ekrani, aktorët. Si rrjedhojë në vitin 1973 fitoj kinoprovën e rolit kryesor në filmin “Nga mesi i errësirës”. Regjisori më tha fitove. Sa u gëzova. Po realizoja një ëndërr të madhe. Por kur nuk e prisja gëzimi m’u pre në buzë, rolin ma refuzuan pasi kisha cen në biografi. Këto gjëra sot as nuk i mendojnë të rinjtë. T’ua tregosh habiten se çfarë ishte ky cen në biografi. O zot na ruaj! Sa jam prekur, pasi isha vetëm 15 vjeç dhe kisha shumë ëndrra për jetën.”- ka thëne ai në një intervistë për “Albanian Free Press”, marrë nga Albert Zholi.
Ai tregon se ceni e shoqëroi, por keq u ndje sërish kur u bë pjesë e grupit “Na bashkoi kënga popullore”, kur në vitin 1979 nuk e lejuan të dilte jashtë për koncert.
“Një ditë të bukur kur as e mendoja, më dënuan penalisht me nenin nr.55, për agjitacion dhe propagandë. Ku e bëja unë agjitacionin? S’e besoja kurrë këtë rreng. Me këtë nen më pezulluan aktivitetin tim artistik më vendim të Presidiumit Popullor. O zot s’e besoja! S’dija si ta përballoja situatën. Kudo rrengje, kudo pengesa.”- tregon ai.
Frederiku shton se akuza i erdhi nga disa letra anonime.
“Letrat anonime. Letrat poshtë derës. Letrat që morën në qafë shumë njerëz. Ah, ky dënim erdhi se akuzohesha nga një letër anonime, ku unë Frederiku isha bashkëpunëtor i Vatikanit, KGB-së, CIA-s? O zot, as i kisha dëgjuar mirë këto emërtime se unë merresha me art. Ku kisha unë lidhje me spiunazhin?! Madje kisha alergji nga Sigurimi. Shmangesha nga takimet me ta,”-tregon ai.
Ndërkohë në vitin 1984 kur punonte në Estradën e Shkodrës dhe mori pjesë si aktor në filmin “Fundi i një gjakmarrjeje”, pa marre leje nga estrada e dënuan me 6 muaj punë në tulla. Kurse në vitin 1987 rrezikoi ta fusnin në burg.
“Kur e shikonin që unë isha një tjetër prerje donin të më bënin për vete. Pra donin të më bënin komunist. Aha, unë komunist? Kurrsesi. As bëhej fjalë të bëhesha komunist. Nuk më lidhte asgjë. Por këto probleme vazhduan edhe me motrat e mia Ritën dhe Julin. Në vitin 1989 Julit desh i hoqën këngën “Tok e Diellit”. Pastaj probleme kam pasur në Festivale për flokët dhe sjelljen,”- tregon ai.