Disa punonjës të reparteve speciale të policisë së shtetit kërkojnë nga qeveria që të paguhen dietat dhe orët e shërbimeve shtesë pasi prej 8 muajsh nuk janë trajtuar. Bëhet fjalë për shërbimet gjatë tërmetit dhe situatës së pandemisë, por kërkohen dhe fonde shtesë për pagesat e energjisë elektrike të ujit apo për pagesat e taksave të makinave të reja që janë vënë në dispozicion të reparteve.
Prej 8 muajsh disa prej reparteve të forcave speciale janë vënë në vështirësi për shkak të mos pagesës së dietave dhe orëve suplementare.
Situata e krijuar nga tërmetet dhe Covid-19 ka bërë që punonjësit e forcave speciale të policisë të shërbejnë me orë të gjatë në punë dhe në qytete të tjera ku janë të planizuar.
Ndaj grupet e posaçme të RENEAS, FNSH-së dhe forcave operacionale kërkojnë tu paguhen shërbimet e kryera në 9 qytete pasi kanë kryer me sukses rreth 700 shërbime të ndryshme.
Sindikata e policisë e konsideron situatë alarmante vonesën në pagesat e efektivëve të policisë, ndaj kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë.
“Shteti i ka parashikuar dhe me ligji dhe akte që jo më shumë se një muaj, kur një punonjës e dërgon me shërbim, drejtoria e përgjithshme duhet ti përgjigjet me pagesën për dietat”.
Kreu i sindikatës, Sadetin Fishta, shprehet për Ora News se kjo vonesë ka rënduar tek efektivët e policisë në përmbushjen e detyrave.
“Një punonjësi policie të forcave speciale shteti i ka sot borxh 2-3 milion lekë për shkak të dietave të papaguara. Punonjësit e policisë janë në një situatë të rënduar, duke ikur jashtë rrethit gjysma e pagës do ti shkojë për shpenzime.”
Përveç dietave për punën jashtë orari ata kërkojnë fonde shtesë për të përballuar pagesat e energjisë elektrike apo ujit për repartet e forcave speciale.
Krahas këtyre kërkesave ata gjithashtu kërkojnë shtesë fondi pasi disa prej automjeteve të reja që u janë vënë në dispozicion janë pa taksën e regjistrimit.
KËRKESAT E REPARTEVE SPECIALE
- Mbi 43 mln lekë dieta të pa paguara
- Mbi 15 mln lekë për energjinë elektrike
- Rreth 500 mijë lekë për pagesat e ujit
- Rreth 200 mijë lekë për taksat e makinave
/Burimi: Ora News/GazetaReforma.com/