Vetëm pak ditë më parë “GazetaReforma.com” kishte njoftuar nëpërmjet një shkrimi lëvrimin e fondeve të konsiderueshme nga qeveria “Rama” për infrastrukturën lokale, para që do t’u jepeshin bashkive socialiste.
Dhe nuk ka vonuar por fiks vetëm pak ditë më parë, për disa bashki për të cilat qeveria dhe Partia Socialiste pretendojnë se do të jenë zona “të mira” elektorale, kanë vërshuar edhe tenderët e parë.
Por tenderët në dukje “modest” kapin shuma të miliona eurove dhe ata që i përfitojnë janë njerëz të afërt ose familjarë të kryetarëve të bashkive.
I tillë është edhe tenderi me vlerë 3 milionë euro që Fondi Shqiptar i Zhvillimit i drejtuar nga Dritan Agolli, i ka dhënë “me bujari” vëllait të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.
Bëhet fjalë për rehabilitimin e Lagjeve 4, 5 dhe 6 të Bashkisë Kukës, qytet ku Safet Gjici është kryetar Bashkie që nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019.
Pra, një agjenci qeveritare i jep fonde publike kompanisë së vëllait të kryetarit të Bashkisë, për të kryer punime në territorin e Bashkisë që administron.
Dokumentacioni
Sipas dokumenteve zyrtare në Agjencinë e Prokurimeve Publike, tenderi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është hapur në 11 gusht dhe një muaj më pas, ky tender është mbyllur.
Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference: “REF-68269-08-10-2020”.
Objekti i këtij tenderi është “Rehabilitimi i Lagjeve 4,5 dhe 6 të Bashkisë Kukës”, me fond limit: 365.666.048,23 lekë të reja pa TVSH. Në këtë procedurë prokurimi kanë marrë pjesë 12 kompani nga të cilët fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “MELA.sh.p.k.”, dhe “ALB SHPRESA sh.p.k.”, dhe “KEVIN CONSTRUKSION sh.p.k.”, me vlerë të ofruar 230.376.099 lekë te reja pa tvsh, ose rreth 2 miliardë e 765 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania ‘Kevin Construksion shpk’, e themeluar në vitin 2006, ka qenë në pronësi të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici.
Por ky i fundit pas angazhimit të tij në politikë, kompaninë në vitin 2014 ia ka kaluar duke i shitur aksionet të vëllait, Lavdërim Gjici, i cili pasi ka “konkurruar” në një procedurë tenderimi në një agjenci shtetërore, është shpallur edhe fitues.
Tani i mbetet Lavdërimit, vëllait të kryebashkiakut Gjici, që të rregullojë qendrën e qytetit të tyre dhe t’i “zbardhë faqen” të vëllait që drejton qytetin.
/GazetaReforma.com/