Një nga këshillat që e kemi dëgjuar shpesh, por duket se nuk e bëjmë asnjëherë, është që të lexojmë me kujdes fletën shoqëruese të medikamentit që blejmë.
Duket se një bar shumë i përdorur, kryesisht tek personat që vuajnë nga hipertensioni, ka rezultuar me pasoja të rënda për shëndetin.
“Hidroklortiazidi”, i cili përdoret si shkarkues, rrezikon shfaqjen e kancerit të lëkurës tek pacientët, kryesisht në rastet e përdorimit afatgjatë. Në këtë konkluzion doli Agjencia Rregullatore për Barnat dhe Produktet e Kujdesit Shëndetësor në Angli, njoftimi i të cilës u publikua edhe në agjencinë tonë të barnave.
Thuhet se ekziston një risk doze për shfaqjen e kancerit të lëkurës jomelanome, por kancer që prek qelizat bazale dhe skuamoze, ku përfshihet edhe kanceri i qelizave në buzë nëse pacientët marrin shumë doza të hidroklortiazidit.
Ky medikament nuk ndalohet, por pacientët duhet të bëjnë kontrolle të vazhdueshme dhe të raportojnë mjekun për çdo shfaqje të shenjave të dyshimta në lëkurë.
Këshillohet që pacientët që përdorin këtë shkarkues të kufizojnë ekspozimin e tyre ndaj rrezeve të diellit dhe atyre ultraviolet.