Struktura e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK), ka nisur marrjen në pyetje të të dyshuarve të përfshirë në çështjen e prishjes së Teatrit Kombëtar.
SPAK ka bashkuar 6 paditë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT) në një çështje të vetme dhe secili kallzim do të shqyrtohet në kuadër të hetimeve.
E para që është marrë në pyetje nga Oficeri i Policisë Gjyqësore për çështjen e prishjes së Teatrit, është avokatja Adriana Kalaja.
Kujtojmë se prishja e godinës së Teatrit Kombëtar në 17 maj të këtij viti, i kapi në befasi shumë njerëz, jo për faktin e prishjes por më tepër për kohën kur ndodhi ndërhyrja e fadromave dhe qindra efektivëve të policisë. Ndërhyrja ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit ndërkohë që brenda ambjenteve të Teatrit kishte aktivistë, si dhe në kulmin e pandemisë.
Pasi prishjes së godinës pati edhe momente tensioni mes kundërshtarëve të prishjes së teatrit, opozitës dhe qytetarëve, me forcat e policisë.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit (ATM), ka kërkuar që të hetohet prishja e Teatrit. ATM ka depozituar tashmë prej kohësh një padi penale në SPAK kundër ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kryebashkiakut Erion Veliaj pasi sipas aktivistëve për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, këta drejtues të lartë zyrtarë kanë kryer veprën penale ” Vrasje të mbetur në tentativë” mëngjesin e 17 Majit.
Bashkia e Tiranës akuzohet për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe makinacioneve të saj për garën tenderuese në ndërtimin e Teatrit të ri.
Kryebashkiaku Erion Veliaj vazhdon që nëpërmjet fijeve dhe interesave politike dhe ekonomike po ‘luan’ ende me projketin e Teatrit të ri dhe me kompanitë që janë në garë për të nisur punimet nga gërmadhat e Teatrit të mëparshëm i cili u shemb në një situatë të jashtëzakonshme.
Bashkia e Tiranës kujtojmë se ka “dorë të lirë” që të vijojë nga puna për zbatimin e projektit të Teatrit Kombëtar, pasi u përzgjodh si institucioni që do të zhvillonte dhe ndiqte të gjitha procedurat e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, me gjithë pretendimin e dy kompanive private se edhe kjo garë u bë pa transparencën e duhur.
Me një vendim të veçantë, qeveria i kaloi atributet Bashkisë, duke i dhënë edhe truallin që më herët ishte tek asetet e Ministrisë së Kulturës.
Në korrik bashkia nisi procedurën ku kërkonte një kompani private që do të bënte studimin dhe projektimin me një fond limit prej 60.3 milionë lekë.
Ndërkohë Komisioni i Prokurimit Publik, vetëm një javë më parë nuk ka pranuar ankimimin e kompanisë “Gjeokonsult & Co” sh.p.k. dhe “Archispace” sh.p.k., për tenderin e studimit dhe projektimit të Teatrit të ri Kombëtar.
Pas nisjes së hetimeve nga SPAK për prishjen e Teatrit Kombëtar, ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.
Me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Presidenti Ilir Meta e kas quajtur shembjen e Teatrit Kombëtar si krime të rënda kushtetuese, ligjore dhe morale, ku dëmet kanë qenë të të jashtëzakonshme, do të jenë të paamnistueshme.
Presidenti ka shkruar që i garanton të gjithë shqiptarët se gjithçka është mbajtur shënim dhe askush nuk ka për t’i shpëtuar Drejtësisë.
Postimi i Ilir Metës:
Akti taleban i shembjes së Teatrit Kombëtar, shkatërrimi i shumë vlerave unikale arkeologjike në Durrës dhe dëmtimi i disa monumenteve në mbarë vendin janë dëshmitë ulëritëse më të freskëta se si arroganca, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e një pushteti mund të sjellë dëme të pariparueshme për trashëgiminë tonë kombëtare e kulturore, pjesë e trashëgimisë europiane.
Të gjitha këto krime të rënda kushtetuese, ligjore dhe morale, të konsumuara veçanërisht në Tiranë dhe Durrës ku dëmet kanë qenë të jashtëzakonshme, do të jenë të paamnistueshme!
Sepse këto akte barbarie, për më tepër të kryera nga institucionet shtetërore, janë sulme të drejtpërdrejta ndaj identitetit tonë kombëtar.
Ndaj sot në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore i garantoj të gjithë shqiptarët se gjithçka është mbajtur shënim dhe askush nuk ka për t’i shpëtuar Drejtësisë!
Duke kujtuar Profesor Paolo Vittin i cili me të drejtë thotë se : “Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet”, risjell edhe njëherë në vëmendje qëndrimin e “Europa Nostra” në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar: “Le të jetë kjo ngjarje e mjerueshme ajo që do të shënojë fillimin e një zgjimi të vërtetë të shoqërisë civile në Shqipëri të udhëhequr nga artistë dhe intelektualë”.
Barbaria dhe talebanizmi nuk kanë vend në shoqërinë tonë!
KOHA PËR DREJTËSI!