Fillimi i vjeshtës dhe shirat kanë venitur edhe ardhjen e turistëve dhe për pasojë edhe frekuentimin masiv të lokaleve dhe restoranteve në bregdet.
Por Policia e Shtetit duket se e ka të ngritur “çarkun” për lokale të caktuara si në qytetet bregdetare ashtu dhe në Tiranë, ku herë pas here shikon makina policie që shkojnë në derë të lokaleve të caktuar.
Qëllimi është një, ndalimi i muzikës dhe i frekuentimit të lokaleve natën, por për pronarët e shumë lokaleve fati nuk është i njëjtë.
Kjo sepse Policia e Shtetit si në çdo rast vepron me dy standarde dhe atë që nuk e bën leku e bënë miku, ose anasjelltas…
Lexues të ndryshëm kanë sjellë dëshmitë dhe denoncimet e tyre në redaksinë e “GazetaReforma.com”, në lidhje me diskriminimin që u bëhet nga efektivët e policisë, për mbylljen e lokalit pas orës 20:00 të darkës.
Por ka të tjerë subjekte ndër kohë madje edhe në qendër të Tiranës, të cilët vijojnë aktivitetin të pa shqetësuar dhe makinat e policisë nuk guxojnë të ndalin para dyerve të tyre me gjithë telefonatat ose denoncimet edhe nga qytetarët.
Gjobat me urdhër të ministrit Lleshi
Aksionet spontane dhe të paorganizuara të Policisë së Shtetit për të mbyllur ose gjobitur lokale të caktuara, që mbajnë muzikë në ambientet e tyre, ose zhvillojnë aktivitet edhe pas orës 20:00 të darkës, janë dukuri e vazhdueshme në qytetet kryesore të vendit.
Policia e Shtetit duke përfituar edhe nga vakumi ligjor, mungesa e informacionit të subjekteve, por edhe nga qarkoret që lëshohen me pretekstin e koronavirusit, kryen gjobitje dhe bllokime selektive.
Janë të shumë mediat që kanë raportuar edhe kohët e fundit për aksione të tilla, por në një kohë që disa bare bllokohen, lokale nate apo pub-e vijojnë të pa shqetësuar edhe pas orës 24:00 aktivitetin.
Burime nga Policia e Shtetit i kanë thënë “GazetaReforma.com”, se shpesh “goditje të tilla për lokale të caktuara, apo edhe hotele, vijnë me urdhër direkt nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por që më parë merr miratimin nga vetë ministri Lleshaj”.
Sipas të njëtave burime, “gjobat për shkelje të aktit normativ që ndalon ushtrimin e aktivitetit të shoqëruar me muzikë pas orës 20:00 të mbrëmjes, valojnë nga 1 milion lekë e sipër për këtë shkelje, por më pas pronarët duhet të ‘kolliten’ për të mundur që të anulojnë aktet ose të mund të vijojnë aktivitetin”.
Burimet shtojnë se këto zarfe që jepen nga pronarë lokalesh, restorantesh dhe hotelesh, “shkojnë menjëherë shumë lartë, dhe vetëm thërrimet bien poshtë për shefat e komisariateve, që gjithsesi kërkojnë ‘racionin’ e tyre”.
Akti normativ absurd
Qeveria “Rama” dhe Ministria e Shëndetësisë, nxorën një akt normativ krejt absurd që po penalizon mjaftë subjekte, me pretekstin e parandalimit të përhapjes së Covid-19.
Akti Normativ Nr. 30, i datës 20.07.2020, neni 3, pika 7/2 thotë se: “Në çdo mjedis shërbimi ndalohet muzika pas orës 20:00”.
Janë shërbimet e Policisë në zonë ato që mandej marrin urdhër për të vepruar ose jo ndaj lokaleve të ndryshme, në rast të konstatimi të përdorimit të muzikës.
Në Tiranë, Durrës dhe Vlorë edhe kohët e fundit janë konstatuar dhe janë gjobitur subjekte të ndryshme për këtë çështje, por po në të njëjtat qytete në hotele, resorte dhe lokale të tjera muzika dhe jeta e natës vijon me frekuentim masiv dhe klientët e zgjedhur të qeverisë nuk shqetësohen.
Rast i ngjashëm është edhe ai i përmendur në mediat e ndryshme për subjektin “Folie Marine” në Jal, të cilit në asnjë rast nuk ju ndërpre as muzika dhe as jeta e natës, madje pa “distancim social”.
/Videot: Pamfleti.net/ GazetaReforma.com/