Skip to content
Aktualitet

Një lajm ‘i mirë’… Ulet çmimi i naftës me 3- 5 lekë për litër në tregun vendas

· 3 min lexim

Shqipëria është vendi i paradokseve të mëdha edhe për sa i përket rregullave të tregut në raportet midis çmimeve me kërkesë-ofertën.

Ashtu si në rastin e sektorit të ndërtimit, ku me gjithë krizën ekonomike dhe mungesën e blerësve, “bumi” në këtë sektor vazhdon dhe çmimet nuk ulen, e njëjta gjë ndodh edhe me shumë produkte të tjera.

Shkak për këtë janë monopolet dhe oligopolet e instaluara fort në vend dhe të lidhura me politikën, që nuk veprojnë në asnjë moment nën ndikimin e tregjeve globale.

E njëjta gjë është edhe me çmimin e karburanteve, ku në Shqipëri me gjithë krizën ekonomike, pandeminë dhe uljen e konsumit, çmimi vijon të jetë më i shtrenjti në Europë, në një kohë që cilësia është më e dobëta.

Por ditët e fundit vjen një lajm i mirë nga sektori i hidrokarbureve, ku çmimi ka shënuar një rënie të lehtë në tregun vendas.

Në pikat e tregtimit me pakicë, nafta po tregtohet me 3-5 lekë për litër më pak.

Çmimet sipas kompanive

Te kompania “Kastrati”, operatori më i madh i shumicë-pakicës në vend, nafta kushtonte 153-155 lekë, nga 158 lekë që ishte më parë.

Në të njëjtat nivele ishte dhe “Elda Petroleum”, operatori i dytë më i madh në vend. Te “Gega Oil”, një litër naftë kushton 150 lekë.

Kjo është hera e katërt që çmimet e karburanteve ulen në tregun vendas. Ndryshimi më i madh ndodhi në prill, pas fillimit të pandemisë, kur si rrjedhojë e uljes në tregjet ndërkombëtare, nafta në vend zbriti me 15-20 lekë për litër.

Pra, nga 178-180 lekë në fillim të vitit, përpara se të shpërthente pandemia, që e çoi konsumin në kolaps në 3-mujorin e dytë të vitit, çmimi ra në 157-155 lekë/litri.

Si rrjedhojë, që nga fillimi i vitit, çmimi i naftës është tkurrur me rreth 13% në tregun vendas.

Çmimi në Bursa

Edhe në bursa, nafta tregtohet në nivelet më të ulëta që nga janari i vitit 2016, pavarësisht se është rimëkëmbur nga nivelet e ulëta prej 22 dollarë për fuçi, që arriti në fillim të pandemisë.

Ditën e djeshme, treguesi referencë “Brent” tregtohet me 42.3 dollarë për fuçi, teksa pasiguritë për rimëkëmbjen globale mbeten të mëdha.

Tregu shqiptar

Në tregun e brendshëm, konsumi i karburanteve ra ndjeshëm në tremujorin e dytë. Sipas INSTAT, në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve ka pësuar rënie me18,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019.

Tkurrja më e fortë ishte në prill, me -33% në krahasim me prillin e 2019-s. Në maj, reduktimi vjetor ishte 18.4%, ndërsa në qershor ra më pak se 2%.

Konsumi ishte i ulët edhe gjatë muajve të verës, për shkak të turizmit të dobët.

Të dhënat nga Ministria e Financave bënë të ditur se, importi i karburanteve gjatë 8-mujorit shënoi rënie me -1,2%, por tkurrja ishte më e dukshme në gusht, kur importet ishin 8.7% më të ulëta se në gushtin e vitit 2019.

Burimet nga tregu e lidhin këtë rënie me një kërkesë më të ulët, si rrjedhojë e kufizimeve të udhëtimeve nga jashtë.

/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: GazetaReforma.com/