Mjekët kanë bërë një protestë ditën e sotme në oborrin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe për këtë kanë kërkuar leje në polici, mirëpo iu është refuzuar pasi sipas tyre nuk lejohen grumbullimet gjatë kësaj periudhe.
Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se gjithsesi nesër do të zhvillojnë protestën e tyre, pasi kërkojnë rritje të vlerësueshme të trajtimit financiar si dhe të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor.
Shkresa e mjekëve e cila ka katër pika është firmosur nga Anika Dokle, Arjan Harxhi, Arjan Mezini, Artan Distafa, Alfred Gega, Alban Dibra, Gentian Stroni, Alert Xhaja, Altin Kuqo e të tjerë.
Kërkesat e mjekëve:
-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Po grumbullimet nga qeveria dhe Bashkia përse lejohen?
Duket se Policia e Shtetit është e njëanshme në atë që thotë dhe vendos. Kjo pasi aktivitete të shumta që nxisin grumbullimet janë organizuar dhe vijojnë të organizohen nga Bashkia e Tiranës çdo ditë.
Në Amfiteatrin e Tiranës po mbahet prej ditësh “Maratona e Këngës”, duke mbledhur dhjetëra qytetarë që nuk respektojnë rregullat e distancimit social dhe nuk mbajnë as maskat për të cilat ekspertët po bëjnë thirrje të vazhdueshme që të bëhen të detyrueshme me ligj në vende publike.
Për më tepër, Veliaj pret çdo ditë njerëz në zyrën e tij, ku nga pamjet shihen ulur afër njëri-tjetrit, kur minimumi i largësisë supozohet të jetë 1.5 metra, edhe këta pa maska. Zyra e kreut të Bashkisë është një ambient i mbyllur dhe sipas udhëzimeve nga ISHP dhe Ministrisë së Shëndetësisë, një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë në mënyrë absolute. Ky është apeli i përditshëm që Ministria e Shëndetësisë iu bën qytetarëve për të ulur numrin e rasteve të reja të infektuar me koronavirus në vendin tonë.
Asnjë plan për shkollat!
Kujtojmë se edhe hapja e shkollave bëri që situata të dalë jashtë kontrollit. Në fotot e publikuara në rrjet kemi parë se në ambientet e jashtme të shkollave nxënësit dhe prindërit janë ngjitur njëri me tjetrin, disa me maska e të tjerë pa to.
Ndërsa në universitet ka mungesë infrastrukture dhe nuk bëhet dezinfektimi i ambienteve.
Atëherë përse mjekët shqiptarë, më të keqpaguarit në Europë, nuk lejohen të protestojnë?
Mjekët shqiptarë janë vënë këto muaj në një presion të shumëfishtë pas goditjes nga Covid-19 dhe barrës së lartë të sëmundjeve rutinë, të cilat Shqipëria i ka në nivele të larta rajonale edhe në situata normale. Sikundër raporton Ministria e Shëndetësisë, numri i rasteve të reja rritet çdo ditë e më shumë, e bashkë me to edhe shtrimet në dy spitalet Covid.
Mjekët, infermierët por edhe të gjithë operatorët e tjerë sanitarë janë rikthyer si asnjëherë më parë në qendër të vëmendjes së politik-bërjes dhe të publikut kudo në botë, si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale. Mirëpo, edhe në këtë periudhë kaq të rëndësishme, qeveria shqiptare duket mos ta ketë kuptuar vendin e tyre.
Analiza e studime të shumta e rendisin shumë keq Shqipërinë në përfundimet e tyre, sa i përket trajtimit të bluzave të bardha. ‘Iconstyle.al’ prej kohësh e ka ndjekur me shqetësim këtë çështje, duke ngritur zërin se paga dhe shpërblimet e bluzave të bardha duhet të rriten, sidomos në këto kohë.
Kështu, vendimi i Policisë së Shtetit duket jo i drejtë dhe i pashpjegueshëm në një kohë kur aktivitetet e sipërpërmendura vijojnë normalisht./Iconstyle.al