Vjeshta ka ardhur zyrtarisht dhe moti i keq prej dy ditësh ka përfshirë vendin. Në shumë qytete mëngjesi i sotëm ka sjellë reshje të shumta shiu, duke përmbytur rrugë e lagje, por në disa zona të vendit nuk ka munguar as breshëri i fortë.
Qytetet si Lushnja dhe Lezha janë zgjuar nën “pushtetin” e ujit. Disa akse kryesore të qyteteve janë përmbytur dhe makinat kanë pasur vështirësi në lëvizje. Ndërkohë kanë shpërthyer edhe ujërat e zeza.
Vetëm pak minuta shi kanë mjaftuar që të përmbyten disa lagje të qyteteve të vendit, si në Durrës, Lushnjë dhe Lezhë.
Shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë gjatë natës në Lushnjë, kanë përmbytur disa akse kryesore të qytetit. Ndërkohë në qytet janë krijuar edhe radhë të gjata makinash.
Po kështu, nga shirat janë përmbytur edhe disa lagje të qytetit të Lezhës. Në lagjet “11Janari” dhe në lagjen “Besëlidhja”, uji ka arritur në disa centimetra dhe makinat kanë vështirësi në lëvizje.
Në këto rrugë kanë shpërthyer edhe ujërat e zeza dhe e gjithë kjo problematikë, vjen si pasojë e mos pastrimeve të kanaleve kulluese në qytetin e Lezhës.
Ndërsa në qytetin Kukësit, në mungesë të burimeve ujore dhe thatësirës, reshjet me intensitet të lartë kanë sjellë rritje të nivelit të ujit. Madje është rritur edhe niveli i ujit në liqenin e Fierzës.
Aktualisht Fierza është në nivelin 277m, ndërsa furnizimi me ujë i banoreve të qytetit është 3 orë në ditë, nga 10-20 minuta që ishte si pasojë e mungesës së reshjeve gjatë verës.
Shirat e dendur dhe moti i keq kanë lënë pasoja edhe në qytetin e Durrësit. Mësohet se akset kryesore të qytetit bregdetar janë përmbytur duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi gjatë natës së kaluar dhe në mëngjesin e sotëm për të sjellë këtë situatë të përkeqësuar në Durrës. Mjete të shumta janë bllokuar edhe në trafik, për shkak të paralizimit të rrugëve.
Dita e sotme, parashikohet që në pjesën më të madhe të territorit të ketë reshje shiu edhe në orët në vazhdim.
“Meteoalb” parashikon se, moti do të përmirësohet vetëm në orët e vona të natës. Temperaturat maksimale sot do të shkojnë në 29 gradë, ndërsa ato minimale në 10 gradë.
Ndryshe nga një pjesë e madhe e vendit, në bashkinë e Konispolit ka rënë shumë breshër, madhësia e të cilit ishte sa një top ping-pongu dhe për rrjedhojë ka dëmtuar pemët, thotë kryetari i bashkisë, Shuaip Beqiri.
Nga verifikimi paraprak në terren nga grupet e punës, vërehet se 30% e prodhimit në agrume, mandarina e portokalle është dëmtuar, ndërkohë që dëmtimi tek ullinjtë është edhe më i madh.
/GazetaReforma.com/