U desh një pretekst fare banal për një ceremoni dasme në një anije ushtarake, që Kapiteni i rangut të Parë, Artur Meçollari, njëkohësisht Zv.Komandant i Flotës Ushtarake Detare Shqiptare, të shkarkohej me një urdhër fillimisht verbal të Ministres Olta Xhaçka.
Kapiten i parë Meçollari, u tha se “vuri në dispozicion të një mikut të tij ish-ushtarak, një prej anijeve të flotës tonë detare, për të kryer ceremoninë e dasmës së të birit, ky i fundit civil”.
Por e gjitha kjo doli që ishte një sajesë dhe se anija ishte urdhëruar që të bënte këtë aktivitet, me urdhër nga lart, pra nga Ministria e Mbrojtjes, ku nga sa mësohet ishte në dijeni edhe vetë ministrja Xhaçka.
Burime nga FLD-ja i thanë “GazetaReforma.com” se Kapiten Meçollari, ishte një figurë e cila shpesh kishte qenë në qendër të sulmeve nga ana e politikës, dhe se shumë zyrtarë shtetërorë nuk pranon madje të haseshin me të.
Sipas burimeve, “Kapiten Meçollari, është një oficer kariere dhe një detar i vërtetë, por kohët e fundit ka qenë në qendër të sulmeve politike, sidomos pas deklaratave të tij për çështjen e ujërave territoriale me Greqinë. Kjo duket edhe e ka penalizuar dhe ka qenë shkak kryesor që atij ti ngrihej një alibi banale për të shkarkuar”.
Burimet kujtojnë për “GazetaReforma.com” se, “Kapiten Artur Meçollari është sulmuar politikisht edhe nga qeveria e dikurshme e demokratëve dhe nga opozita e sotme, duke u konsideruar edhe si spiun nga ish-kryeministri Berisha, kur iu atashua grupit të negociatorëve për kufirin detar me Greqinë, dy vite më parë”.
Mbytja e anijes para fshatit të Samir Manes
Mbytja e një anije ushtarake në datën 28 korrik 2020, me fundosje të kontrolluar në Drimadh, Dhërmi, përballë resortit turistik “Green Coast Resort”, të biznesmenit Samir Mane, ishte shtysa që na bëri të investigonim pak më gjerë për shkarkimin e Kapitenit Meçollari.
“GazetaReforma.com” mori kontakt me disa kolegë të Kapitenit Meçollari, të cilët nuk nguruan të na tregojnë, mbi zhvillimet e fundit në Flotën Detare Ushtarake, por me kusht që të mbeten konfidencial.
Ata pranuan faktin se, shumë oficerë të FLD-së, përfshi këtu edhe Kapitenin Meçollari, nuk kanë qenë dakord me vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Turizmit, për mbytjen e disa anijeve ushtarake të Forcës Detare, me qëllim krijimin e një Parku nënujor në Drimadhë, përpara resortit të Samir Manes.
Sipas këtyre burimeve, “Vet Kapiteni Meçollari dhe disa kolegë ushtarakë kishin qenë kundër fundosjes së anijeve, ide e mbështetur dhe kërkuar nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi”.
Kjo edhe për shkakun se disa prej anijeve ishin rikonstruktuar ndër vite dhe ishin më të denja për një muze mbiujor si për shembull në ishullin e Sazanit, se sa të fundoseshin për turizmin nënujor përpara një resorti privat.
Sipas ushtarakëve të FLD-së, këto mjete lundruese janë në inventarin e ushtrisë dhe marinës Shqiptare, ndaj dhe nuk duhet të zhduken në këto forma, ose duke u bërë skrap, pasi shumë prej tyre kanë mbi vete histori.
Sulmi mediatik ndaj Kapiten Meçollarit
Jo vetëm sulmet nga opozita dhe ish-qeveria demokratike, apo dhe përplasjet me eprorët politikë në Ministrinë aktuale të Mbrojtjes, por kohët e fundit, Kapiten Meçollarit, i ishin bërë “avale” edhe sulmet indirekte nga biznesmenë dhe media të lidhur me ta.
Shkak ishte përvetësimi i një pjese të fondit të mjeteve lundruese ushtarake, për të kënaqur orekset dhe tekat e biznesmenëve që po privatizojnë pjesë-pjesë gjithë brigjet më të bukura shqiptare.
Kjo tregohet qartë edhe në kronikat denigruese që Kapitenit Meçollari, i kanë bërë media si “TV Klan” ose të tjera, në lidhje ose ortakëri me biznesmenin Samir Mane.
Trishtimi dhe mërzia e Kapitenit Meçollari shikohet qartë edhe në këtë video që “GazetaReforma.com” sjell për herë të parë për lexuesin e saj, gjatë momenteve të fundosjes përpara plazhit të Drimadhës të anijes Y-21 (ish-P – 219), ku Zv.komandanti nderon serioz dhe i mërzitur mbytjen e anijes që mbart edhe një histori në kohën e shërbimit të saj në FLD.
Por për këtë do t’ju flasim në një material tjetër që “GazetaReforma.com” do të përgatis në ditët në vijim.
/GazetaReforma.com/