Nën cilësinë e kreut të OSBE-së, kryeministri Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Mësohet se në lidhje me krizën dhe protestat në Bjellorusi, presidenti i Rusisë Vladimir Putin, mbështet propozimin për ndërhyrjen e OSBE-së, për ndërmjetësimin e dialogut mes qeverisë dhe opozitës në Bjellorusi.
Ndërkohë SHBA-ja dhe presidenti Putin, i kanë kërkuar presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko që të pranojë kërkesën e OSBE-së për negocimin mes palëve politike.
Më parë edhe vetë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në cilësinë e kreut të OSBE ka ofruar një vizitë dhe një takim me qeverinë dhe opozitën në Bjellorusi për të gjetur një zgjidhje nëpërmjet dialogut
Gjatë ditës së sotme Rama zbuloi arsyen pse nuk ka shkuar në Minsk deri më tani. Rama tha se OSBE nuk shkon në Minsk për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.
Kujtojmë se prej disa ditësh mijëra bjellorusë kanë vërshuar rrugëve kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko duke krijuar dhe protestën më të madhe që prej vitit ’91, kur Bjellorusia fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.