Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq është arrestuar nga Polica e Kosovës pasi akuzohet se ka sulmuar seksualisht një 23-vjeçare.
KosovaPress konfirmon lajmin sipas të cilit, se me urdhër të prokurorisë, ish-ministri Baliq është shoqëruar në polici.
“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48 orësh, gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, tha Nikçi për KosovaPress.
Ngjarja ka ndodhur më 12 gusht, në ora 22:53, dhe nuk është hera e parë që ndaj ish-ministrit Numan Baliq rëndojnë akuza për ngacmim seksual.
Kohë më parë ai ishte liruar nga akuza për ngacmim seksual ndaj një punonjëse në spitalin ku punon.
Prokuroria Themelore e Pejës askuzonte Baliqin se nga muaji gusht i vitit 2018 në vazhdimësi ka ngacmuar praktikanten e Spitalit Rajonal të Pejës duke i shkruar mesazhe me përmbajtje seksuale në telefon dhe duke i dërguar edhe letra.
Rasti ishte paraqitur në polici në shtator të vitit të kaluar. Pas aktakuzës ai ishte pezulluar nga puna, si kirurg në Spitalin Rajonal të Pejës.