PRISHTINË
Kreu i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, kandidaturën e Ramush Haradinajt si president e ka cilësuar si një ngjarje partiake.
Në një deklaratë për Klan Kosova, ai është shprehur se është e drejtë e AAK-së që të propozojë kandidat, por me LDK-në nuk kanë asnjë marrëveshje për këtë çështje.
“Është e drejtë e plotë e AAK-së. Është ngjarje partiake që e respektojmë. Nuk kemi marrëveshje për Presidentin”, ka qenë ky reagimi i shkurtër i kreut të grupit të LDK.
Një ditë më parë kreu i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh i gatshëm që të kandidonte për President.
Ai tha se ka zhvilluar një mbledhje brenda partisë dhe ishte propozuar që të ishte ai kandidati i mundshëm për postin më të lartë në vend.
“Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.
Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.
Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.
Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.
Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, shkruante dje Haradinaj.