Kandidatja kryesore e opozitës në Bjellorusi Svetlana Tikhanovskaya tha se shifrat në rezultatin e zgjedhjeve të së dielës në Bjellorusi, që i dhanë Aleksandër Lukashenkos 80 përqind të votave, janë manipuluar.
“Unë kam besimin e patundur se shumica e votave ishin për ne. Ne nuk njohim rezultatin e zgjedhjeve. Ne kemi parë votat e vërteta me protokolle. Ne iu kërkojmë atyre që besojnë në ndryshim të mos heshtin”, ka thënë Tikhanoskaya në një konferencë për mediat në Minsk.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi njoftoi të hënën se rezultatet paraprake treguan se Lukashenko fitoi me 80.23% të votave, ndërsa Tikhanovskaya qëndron me 9.9%.
Trazirat nisën në të gjithë vendin, sapo të dielën vonë dolën sondazhet e para, që i dhanë fitoren Lukashenkos. Rreth 3000 persona u arrestuan dhe dhjetëra të tjerë janë plagopsur gjatë përleshjeve me policinë, tha agjencia e lajmeve vendore në një njoftim.
Kritikët thanë se ka shumë vota të vjedhura dhe se janë bërë manipulime të mëdha në zgjedhje. Grupi i pavarur i “Njerëzve të ndershëm” thanë në konferencë se kandidatja opozitare fitoi së paku në 80 vendbanime në të gjithë Bjellorusinë.
Tikhanovskaya, 37 vjeçe, shtoi se ajo ishte e gatshme të takohej me Lukashenkon për të diskutuar. Ajo shtoi se protestat e saj do të jenë afatgjata dhe se kërkon rinumërim të votave.
Organizata monitoruese Golos tha se ka numëruar më shumë se 1 milionë fletë-votime dhe ka dalë se kandidatja opozitare ka fituar rreth 80 përqind të tyre.
Lukashenko tha të hënën se nuk do lejonte copëtim të vendit, kurse shtoi se “protestat bëhen nga këlyshë të huaj”. Ai theksoi se për protestat e dhunshme, secili do të mbajë përgjegjësi para ligjit.