POGRADEC
Policia ka ndaluar një person, i cili dyshohet se është përfshirë në ngjarjen e ndodhur dje, ku u qëllua me plumba kallashnikovi në drejtim të një hoteli në Tushemisht të Pogradecit.
Në njoftimin për mediat, policia bëri me dije se është ndaluar një 34-vjecar, me inicialet M.T, ndërsa u shpallën në kërkim policor edhe 3 të tjerë.
Dyshohet se shkak për këtë ngjarje është bërë një konflikt që këta shtetas kanë pasur me pronarin e hotelit dhe me djalin e tij.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, autorët e dyshuar kanë kanosur fillimisht djalin e pronarit të hotelit J.M në fillim të muajit gusht, ndërsa ngjarja kulmoi me drejtimin e plumbave të kallashnikovit në drejtim të hotelit në pronësi të J.M 47 vjec.
Si pasojë e të shtënave, në hotelin në Tushemisht u shkaktuan dëme materiale dhe 7 makina luksoze janë dëmtuar.
Njoftimi i policisë:
Ndalohet njëri nga autorët e dyshuar të ngjarjeve të ndodhura më datë 01.08.2020 dhe më datë 08.08.2020, pranë një hoteli në fshatin Tushemisht.
Shpallen në kërkim edhe 3 bashkëpunëtorët e dyshuar të tij. Sekuestrohen 1 mjet motor, 2 skafandra të përdorura nga autorët, municion luftarak, pamje filmike dhe prova balistike.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e dy ngjarjeve të ndodhura më datë 01.08.2020, si edhe mëngjesin e djeshëm, pranë një hoteli në fshatin Tushemisht, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
- T., 34 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec (i dënuar më parë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”).
Si edhe u shpallën në kërkim shtetasit:
- B., 52 vjeç, banues në Tiranë.
- B., 34 vjeç, banues në Pogradec.
- S., 28 vjeç, banues në Pogradec.
Nga tërësia e veprimeve intensive hetimore të kryera, dyshohet se këta shtetas pas një konflikti të mëparshëm me pronarin e hotelit dhe djalin e tij, në bashkëpunim midis tyre, më datë 01.08.2020, kanë kanosur me armë zjarri përpara hotelit, shtetasin J. M., 20 vjeç, si edhe më datë 08.08.2020, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit në pronësi të shtetasit J. M., 47 vjeç, ku u shkaktuan dëme materiale tek godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 mjet motor tip “Suzuki”, pa targë, 2 skafandra të përdorura nga autorët, ku janë fiksuar prova biologjike dhe balistike të tyre, fishekë luftarakë, si edhe pamje filmike të filmuara nga kamerat e sigurisë.
Vijon puna për sqarimin e mëtejshëm dhe kapjen e tre personave të tjerë të shpallur në kërkim, të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera”, “Prishja e qetësisë publike”, “Armëmbajtja pa leje”.