GJIROKASTËR
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së shoferit 57-vjeçar, Gëzim Saraçi.
Uniformat blu të qytetit të gurtë kanë vënë në pranga 33-vjeçarin Mihal Thimjo nga fshati Derviçan. Thimjo është arrestuar gjatë natës në aksin rrugor rural Poliçan – Suhë, teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme, Autori i dyshuar dhe Gëzim Saraçi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, teksa po udhëtonin në kamionçinën e këtij të fundit.
Gjatë sherrit, Thimjo e ka goditur Saraçin me sende të forta në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Po ashtu, mësohet se autori i dyshuar ka marrë në telefon të afërmit e Saraçit dhe iu ka thënë atyre se ai është autori i krimit.
Nga telefonata, është kuptuar gjithashtu se edhe Thimjo ka mbetur i plagosur nga përleshja që ka pasur me shoferin e kamionçinës. Nuk ka version zyrtar për ngjarjen, por dyshohet se personat kanë pasur konflikte të vjetra fisnore me njëri-tjetrin.
Sipas policisë, autori i dyshuar i ngjarjes dhe viktima kanë drekuar në Zagori së bashku, përpara se të ndodhte krimi i rëndë që tronditi Gjirokastrën.
57-vjeçari Saraçi ka goditur i pari Thimjon, i cili është kundërpërgjigjur duke e goditur me levë. Autori i dyshuar Thimjo ka mbetur i plagosur në këmbë dhe në shpatull.