Më 30 prill, Komron Zukhurov, terroristi i shumëkërkuar nga Interpoli është vënë në pranga nga Policia e Shtetit, në qytetin e Tiranës.
Mësohet se 24-vjeçari kërkohet nga drejtësia gjermane, e cila ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, duke e akuzuar për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, pasi dyshohet se është anëtar i një celule terroriste, që kryenin veprimtari në emër të ISIS.
Kështu, së fundmi raportohet se ai është ekstraduar drejt Gjermanisë, pasi sot është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Tiranës, e cila vendosi që terroristi nga Taxhikistani, Komron Zukhurov të ekstradohet drejt shtetit gjerman.
24-vjeçari ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, në mënyrë ilegale disa muaj më parë dhe jetonte në një familje taxhakistaneze në Tiranë.
Nga ana tjetër është mësuar se terroristi i prangosur është i afërm i bashkëjetueses së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, madje ditën që ka hyrë në Shqipëri, kur ka mbërritur në Rinas, personi që e kapritur në aeroport, është pikërisht bashkëjetuesja e Dogjanit.
Ndërkohë në Shqipëri ai kishte ardhur për të ekzekutuar biznesmenin Albano Aliko, është 52-vjeçari, për kokën e të cilit, terroristi nga Taxhikistani do të merrte 40 mijë dollarë. Porosia për ekzekutimin e Alikos ka ardhur nga një grup biznesmenësh izraelitë, teksa motivet ende nuk janë të qarta, por dyshohet se pas kësaj ngjarjeje qëndron një konflikt i vjetër biznesi mes Alikos dhe grupit të izraelitëve.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 03.08.2020 u krye ekstradimi nga Tirana drejt Gjermanisë, i shtetasit K. Z., 24 vjeç, lindur në Dushanbe, Taxhikistan. Ky shtetas është kapur më datë 29.04.2020, nga Drejtoria e Antiterrorit, Tiranë, pas një punë inestigative dhe falë shkëmbimit me homologët e antiterrorit në Gjermani. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi autoritetet gjyqësore të Gjykatës Federale në Karlsruhe, me vendim Nr. 2 BGs 245/20 datë 21.04.2020, kanë lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Anëtar i një organizate të huaj terroriste” parashikuar nga Kodi Penal gjerman. Rrethanat e ngjarjes: Ky shtetas, së bashku me personat e tjerë të akuzuar, i udhëhequr nga një besim radikal fondamentalist, ngriti një qelizë në territorin e Republikës Federale të Gjermanisë, me qëllim që të ndërmerrte “xhihad” në emër të “IS”, në kuptimin e një lufte të armatosur kundër “jobesimtarëve”, në Gjermani dhe jashtë saj, me qëllim kryerjen e sulmeve në Gjermani ose Taxhikistan duke përdorur armë zjarri dhe eksplozivë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden/Gjermani u bë i mundur ekstradimi i tij drejt Gjermanisë.