Byroja Kombëtare e Hetimit, apo siç njihet ndryshe FBI-ja shqiptare, do të fillojë funksionimin nga sot, kur do të zgjidhet edhe kryetari i këtij institucioni. Katër kandidatë janë në garë për të marrë drejtimin e BKH-së: Aida Veizaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faska.
Në orën 14:00, SPAK do t’i propozojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin për drejtimin e BKH-së, ndërkohë që në komision do të marrin pjesë edhe ekspertë të huaj.
Politika ka nisur prej ditësh debatet për drejtuesin e BKH-së dhe Partia Demokratike ka deklaruar se procesi është i montuar pasi fituesi është përcaktuar paraprakisht dhe bëhet fjalë për Aida Veizajn, aktualisht zv/drejtore e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Demokratët e akuzojnë Veizajn si të përfshirë në disa afera në favor të mazhorancës socialiste.
Por nga ana tjetër është Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila mohon ndërhyrjet në proces dhe thekson se “të gjithë ata që ëndërrojnë se nuk do të ketë drejtësi në Shqipëri, duhet të zgjohen nga gjumi”.
Misioni i BKH-së:
Byroja Kombëtare e Hetimit është njësi e specializuar e policisë gjyqësore që heton veprat penale nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në BKH punohet së bashku me një skuadër prokurorësh të posaçëm që në mënyrë proaktive hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë qeveritarë dhe të tjerë që dyshohen që janë të përfshirë në vepra penale në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin.