Është miratuar me 97 vota pro ditën e sotme në Kuvend Kuvendi marrëveshja e 5 qershorit e cila është dakordësuar në Këshillin Politik.Nga këto vota 74 ishin nga mazhoranca dhe 23 nga grupet parlamentare të opozitës brenda Kuvendit. Ndërkohë vetëm 6 deputetë votuan kundër saj, dhe 6 të tjerë nuk morën pjesë në votim dhe 4 ishin abstenim.
Menjëherë pas këtij vendimi kaq të rëndësishëm për procesin zgjedhor të vendit por edhe për hapjen e negociatave, reaguan edhe ndërkombëtarët.
BE, OSBE dhe SHBA përshëndetën vendimin e sotëm të Kuvendit për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit, marrëveshje kjo e arritur mes palëve gjatë Këshillit Politik.
Ishte ambasada amerikane e para që përshëndeti miratimin e marrëveshjes dhe u kërkoi palëve që të dialogonin për reformat e tjera.”Mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike.”
Ndërkohë edhe OSBE u shpreh optimiste për vendimin e sotëm dhe kërkoi që të vijohet dialogu për reforma të mëtejshme.”Ne mbetemi te gatshëm t’i ndihmojmë autoritetet shqiptare në këtë rrugë, si edhe për zhvillimin e hapave të tjerë të reformës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të vijojnë dialogun për reforma të mëtejshme.”
Dhe në fund BE përsëri kërkoi që palët të vazhdojnë mbledhjet ne Këshillin Politik pa dëmtuar rezultatet e arritura për marrëveshjen e 5 qershorit. “Ndërkohë që njohim rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, të treguar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshimet shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit.”,