Seanca e parafundit e këtij sesioni parlamentar do të jetë intensive dhe e ngjeshur me debate. Kjo të paktën parashikohet nga rendi i ditës, ku janë përfshirë dy interpelanca, ajo me ministren e Arsimit, Besa Shahini, dhe Edi Ramën, në cilësinë e ministrit të Jashtëm.
Pika më e rëndësishme është miratimi i marrëveshjes së 5 qershorit dhe që ka të bëjë me kodin zgjedhor që do të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia Socialiste arriti në fillim të javës një marrëveshje me deputetët e opozitës parlamentare, ndaj 84 votat e nevojshme për të miratuar marrëveshjen pritet të arrihen gjatë seancës.
Akti normativ për gjobë deri në 2 mijë lekë në rast mosmbajtje të maskës në ambiente të mbyllura, është gjithashtu pjesë e rëndit të ditës, si dhe ndryshimet në ligjin për sistemin e taksave vendore apo raportet vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Në Kuvend pritet të votohen edhe disa dekrete të Presidentit Ilir Meta që lidhen me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Seanca plenare do të nisë në orën 10:00.