Ditën e sotme në përditësimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë mbi situatën e pandemisë në vend u regjistruan 7 raste të reja në qytetin e Tepelenës.
Mësohet se 7 rastet e reja në këtë qytet janë antëtarë nga 2 familje të cilat banojnë në fshatin Dukaj të Tepelenës, dhe janë infektuar në një dasmë e cila është zhvilluar në Tiranë.
Kujtojmë se për të frenuar përhapjen e COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për ndalimin e organizimit të dasmave, për shkak të mbledhjes së shumë personave. Mirëpo mesa duket jo të gjithë pronarët e lokaleve po e zbatojnë këtë urdhër.
Ndërkohë janë regjistruar 4 viktima, në 24 orët e fundit në vend. Viktimat janë 2 të shtruar te infektivi dhe 2 të tjerë te Shefqet Ndroqi me sëmundje bashkëshoqëruese, duke e çuar në 117 numrin total të viktimave.Ndërsa pozitiv me koronavirus kanë rezultuar 119 persona nga 482 testime të realizuara. Aktualisht në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 125 pacientë, 20 në terapi intensive dhe 4 pacientë janë të intubuar.