Pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, se tenderi për aeroportin e Vlorës do të mbyllet së shpejti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në prill të këtij viti, Balluku bëri premtimin më të fundit për këtë çështje, duke theksuar se tenderi ndërkombëtar për kompaninë që do të ndërtojë aeroportin e ri do të mbyllet përgjatë 2020-ës. E megjithatë duket se diçka e tillë vështirë se do të ndodhë pasi problemi është më kompleks.
Qendra për studime ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit ka analizuar projektin e aeroportit në Vlorë dhe ka arritur në konkluzionin se ky projekt nuk është fizibël. Sipas këtij studimi, të publikuar nga Monitor, Vlora nuk mund të ketë një aeroport nëse projekti nuk mbështetet nga një seri politikash publike që duhet të aplikohen për zhvillimin e turizmit dhe eksporteve.
Edhe pse theksohet se aeroporti do të kontribuonte në zhvillimin e Vlorës dhe të gjithë rajonit të jugut, kërkohet që të realizohet një planifikim i integruar, me fokus në planifikimin e pasurive të paluajtshme dhe sigurimin e infrastrukturës plotësuese.
Turizmi i Shqipërisë ka parë një rritje të fortë në dy dekadat e fundit, por ende mbetet prapa potencialit të tij. Rritja e turizmit kushtëzohet nga tregjet fqinje dhe është i përqendruar në sezon, çka kufizon më tej rritjen e sektorit. Vendosja e një aeroporti në Shqipërinë e Jugut do të lehtësonte disa nga këto kufizime të industrisë së turizmit të lidhura me transportin në vend dhe rajon, por turizmi në Jug ka mungesë organizimi, kapacitete të ulta akomodomi dhe në përgjithësi një infrastrukturë të dobët turistike, thuhet në studimin e Harvard.
Infrastruktura e ajrore mund të ofrojë në teori mundësi për të përmirësuar konkurrencën e eksporteve shqiptare, por zhvillimi i ngarkesave ajrore nuk është detyrë e thjeshtë.
Në rastin e Shqipërisë, jo vetëm produktet tekstile dhe bujqësore mund të eksportohen përmes ajrit. Operacionet e ngarkesave ajrore kërkojnë edhe vëllim të trafikut ajror edhe kërkesë të lartë për të eksportuar me avion, por të dy kushtet nuk kanë gjasë të realizohen lehtë.
Megjithëse potenciali për transport ajror në Shqipërinë e Jugut mund të jetë i lartë, por ai nuk është aspak i sigurt dhe nuk nënkupton siguri në të ardhmen e afërt, mbyllet studimi.