Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesnatën e sotme në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Një i ri ka mbetur i plagosur me armë, pasi ndaj tij janë qëlluar disa plumba.
Ngjarja ka ndodhur në një nga lokalet e njohura të zonës, pak metra larg vilës së diktatorit Enver Hoxha.
Si pasojë e një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri në këmbë, një person rreth 39 vjeç, si dhe është dëmtuar me mjete të forta një tjetër. Të dy të rinjtë ndodhen në spital pa probleme për jetën.
Ndërkohë policia ka arrestuar autorin e dyshuar. Abc News raporton se mbrëmjen e djeshme përveç 39-vjeçarit është plagosur me sende të forta edhe Rois Babasi 22 vjeç i cili eshte djali i ish-deputetit të PD Ndriçim Babasi.
Pikërisht 22-vjeçari Rois Babasi është edhe autori i dyshuar i cili ka plagosur me armë 39-vjeçarin në sherr e sipër.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit, ndërsa janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë të cilët ishin në lokal, ku nisi sherri.
Tani djali i ish-deputetit do të përballet në gjykatë me akuzat “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.