Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ishte e ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” ku foli për gjendjen pandemisë në vendin tonë. Ministrja u shpreh se pandemia tashmë ndodhet ne një fazë të re dhe se vartat e COVID-19 janë shtuar. Kjo situatë sipas ministres erdhi pas relaksimit të masave dhe neglizhencës së rregullave nga qytetarët.
“Shqipëria është më mirë në raport me vendet e tjera. Por të krahasohesh për numrin e fataliteteve është e dhimshme. Kjo sepse është dicka e rëndë në radhë të parë për viktimën, pastaj për familjarët dhe të afërmit. Ne punojmë për të shpëtuar sa më shumë jetë. Pandemia ka ardhur në një fazë të re, ka më shumë vatra”, tha ajo.
Më tej Manastirliu u shpreh se prisnin më shumë bashkëpunim nga ana e qytetarëve, por sipas saj qytetarët nuk janë përgjigjur si duhet.
“Me relaksimin e masave, pësuam edhe relaksim të sjelljes, duke shmangur masat për Covid-19. Kemi pasur madje edhe grumbullimeve, që mund të kenë pasur efekte negative. Sot kemi 90 mijë teste”, u shpreh ministrja.
Gjithashtu Manastirliu tha se po punohet për zgjerimin e kapaciteteve spitalore, pasi parashikohet një rritje e numrit të pacientëve të shtruar me COVID-19.
“Kalojmë në skenarin e dytë në hapjen e spitalit Shefqet Ndroqi, i cili ka kapacitetet e duhura . Po fillojmë të ekspandohemi edhe në kapacitetet spitalore. Jemi në momente kur kemi një shtim të numrit dhe parashikojmë rritje të mëtejshme”, tha Manastirliu.