Deputetja Rudina Hajdari ka komentuar vendimin e sotëm të Komisionit të Ligjeve për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve. Në një intervistë për Report TV, Hajdari u shpreh se hapja e listave është një lajm entuziast për të.
“Opozita parlamentare dhe shumë qytetarë që na u bashkuan sot morën një lajm të mirë, por kemi ende kohë dhe normalisht dhe deri kur të votohen, nuk kam dëshirë që të shprehem shumë për këtë temë”, tha ajo.
Kujtojmë se Partia Demokratike dhe opozita janë pozicionuar kundër hapjes së listave dhe ndalimit të koalicioneve. Sot selia Blu deklaroi se ndalimi i koalicioneve ishte qëllimi i Edi Ramës, pasi listat nuk u hapën plotësisht. Por Rudina Hajdari shprehet se çdo njeri që është kundër listave të hapura është kundër shqiptarëve. Madje, ish-kryetarja e grupit demokrat thotë se hapja e listave do të ndihmojë edhe opozitën.
“Kjo është një cështje që të gjithë duhet ta mbështesim, do ta favorizonte shumë opozitën, vetëm me listat e hapura, duke injektuar pak demokraci, apo duke u lënë hapësirë lëvizjeve të reja…Nuk besoj se duhet të ketë kundërshtar për këto gjërat e mira. Kemi një qeveri që ka 7 vite në pushtet dhe po dështon në shumë aspekte, por nuk mund të kemi një fushatë për të ndryshuar karrige dhe pushtetin, duhet të kemi edhe zhvillim të ideve, argumenteve, njerëzve, që nuk synojnë thjesht pushtetin por alternativa të pastra.
Gjatë intervistës, deputetja Hajdari u pyet edhe për krijimin e një force të re politike pasi e ka paralajmëruar edhe më herët dhe u shpreh se po bëhen përgatitje por që duhet të punohet fort pasi mund të bëhesh si të tjerët.
“Ka shumë pakënaqësi dhe shumë njerëz që nuk duan as PS dhe as PD-në dhe ka boshllëk të madh në këtë hapësirë. Ka një elektoral gri që është goxha i madh dhe votuesit tradicional janë të zhgënjyer. Kjo të lejon që të mendosh si mund të krijosh një format që mund të thithë sa më shumë njerëz dhe të mos i zhgënjesh. Patjetër që mund të ketë një terren të tillë, por nëse i zhgënjen bëhesh si të tjerët… Kemi një ekip shumë të mirë, jam duke krijuar një ekip dhe kjo mund të shkojë drejt një lëvizje”.
Por detaje për emrat që mund të afrohen nuk pranoi që të jepte.
“Duhet t’ia lëmë kohës. Bashkëpunimi që do të kisha me njerëzit, nuk do të kufizoja asnjëri që ka dëshirë që të bëhet pjesë. Njerëzit kanë nevojë jo vetëm për një alternativë të re, por që kjo duhet të jetë një gjë e besueshme, një platformë që krijon mundësinë që shumë njerëz që duan të kontribuojnë të bëhen pjesë, të jetë reale dhe nëse do të dalë në zgjedhjet e ardhshme me listat e hapura, njerëzit ti votojnë, të jetë një format i besueshëm” përfundoi Rudina Hajdari.