Kur kanë kaluar më shumë se një javë nga ngjarja e Kombinatit ku u gjetën të vetëflijuara në banesë Anisa e Zhaneta Josifi, si dhe ku u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore Blerta Josifi, policia dhe prokuroria nuk ka ndaluar asnjë person të dyshuar që shtyu familjen përmetare në aplikimin e atyre metodave për ringjallje.
Deri tani ka një listë personash që pritet të merren në pyetje nga organi i akuzës, pjesë e të cilës janë edhe përfaqësues të sekteve fetare që kanë praktikuar vajzat. Nga ana tjetër prokuroria ka dërguar letër komanisë telefonike për numrat e përdorur nga familja Josifi për të mësuar se me kë kanë kontaktuar nga janari i vitit 2020.
Mesazhet e shkëmbyera mund të zbulojnë lidhjet e familjes me persona që mund të fshihen pas ngjarjes. Ndërsa rezulton se ndaj së ëmës së vajzave, Zhanetës, ka patur dy telefonata përmbajtja e të cilave po analizohet për të kuptuar nëse lidhen me veprimet qe ato kryenin prej kohësh për të kryer ritualin e ringjalljes së vajzës së saj, Anisës, që mbahej e pajete në banesë.
Ngjarja e rëndë u zbulua mbrëmjen e 2 korrikut dhe tronditi opinionin publik. Në pallatin parafabrikat mbrapa ish-Mapos rruga “Hamdi Cenoimeri”, dy trupat e vdekur të dy grave “bashkëjetuan” për disa kohë me me banorët e lagjes. Zhaneta Josifi, 56-vjeçe dhe Anisa Josifi 30-vjeçe, u gjetën të vdekura në banesë, ndërsa në gjendje të rëndë ishte edhe vajza tjetër e Zhanetës, Blerta Josifi 34-vjeçe. Kjo e fundit bashkë me nënën e saj kishin mbajtur në banesë trupin e pajetë të Anisës, të cilin e lyenin me vaj e uthull që të mos binte erë. Në banesën e tyre të thjeshtë në këtë lagje të Tiranës, policia gjeti shënime fetare, ku u mësua se nëna dhe dy vajzat kanë qenë praktikante të sektit të njohur si “Dëshmitarët e Jehovait”. Blerta që prej 2 korrikut, ndodhet e shtruar në spitalin Psikiatrik të Tiranës.