Skip to content
Të Gjitha

Meta kthen ndryshimet në ligjin e vettingut të Policisë: Ngjan me një “favor” që u bëhet drejtuesve

· 4 min lexim

Presidenti Meta ka kthyer mbrapsht duke mos i dekretuar ndryshimet ligjore që parashikojnë zgjatjen e afateve të vettingun në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës si edhe në SHCCBA.

Me një relacion shpjegues ku sqaron arsyet pse ktheu pas ligjin për zgjatjen e afatit për të realizuar procesin, presidenti thotë se problemi është pikërisht afati.

Ky ligj sipas tij synon heqjen e afatit të përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, këtë herë edhe për drejtuesit e lartë të forcave policore dhe për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

“Ky shfuqizim i afatit, pa përcaktuar një afat të ri brenda të cilit duhet të përmbyllet vlerësimi kalimtar për kategorinë e drejtuesve të lartë në Policinë e Shtetit, në Gardën e Republikës dhe të punonjësve në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, përveçse nuk është në përputhje me qëllimin e vetë ligjit që u miratua si nevojë e një reforme prioritare në Policinë e Shtetit, ngjan më shumë me një “favor” që u bëhet këtyre drejtuesve, për të mos kaluar procesin e vetting- ut në këto momente, duke i kthyer ata automatikisht, të varur nga ky vullnet politik sot, dhe në shërbim të presionit politik nesër”, thekson Meta.

Në relacionin që shoqëron dekretin e Metës theksohet edhe fakti se ligji është emërtuar gabim.

E PLOTË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend edhe ligjin nr. 74/2020 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar”.

Sipas arsyetimit ligjor të bërë publik nga institucioni i Kreut të Shtetit: “Veçanërisht kur vendi pritet t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të përgjithshme, forcimi i këtij presioni përmes vlerësimit kalimtar (vetting-ut), bëhet akoma më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për garantimin e paanësisë së forcave policore e për pasojë, tepër shqetësues. Kjo pasiguri e personelit policor është e pritshme dhe ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor”.

Ky ligj, i miratuar në mënyrë të nxituar, përmbante një gabim që në titullin e tij, titull i cili nuk reflekton vetëm një ndryshim dhe vetëm një shtesë që bëhen përmes tij në ligjin bazë nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, por titullohet si një ligj i ri.

Ky ligj synon heqjen e afatit të përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar, këtë herë edhe për drejtuesit e lartë të forcave policore dhe për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Ky shfuqizim i afatit, pa përcaktuar një afat të ri brenda të cilit duhet të përmbyllet vlerësimi kalimtar për kategorinë e drejtuesve të lartë në Policinë e Shtetit, në Gardën e Republikës dhe të punonjësve në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, përveçse nuk është në përputhje me qëllimin e vetë ligjit që u miratua si nevojë e një reforme prioritare në Policinë e Shtetit, ngjan më shumë me një “favor” që u bëhet këtyre drejtuesve, për të mos kaluar procesin e vetting- ut në këto momente, duke i kthyer ata automatikisht, të varur nga ky vullnet politik sot, dhe në shërbim të presionit politik nesër.

Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 2019 dhe ndryshimet që tentohen të realizohen me ligjin nr. 74/2020 të kthyer për rishqyrtim, jo vetëm që shtyhet  procesi i rivlerësimit të trupës drejtuese, por edhe vetting-u i efektivëve të policisë tashmë i lihet në dorë një pjesë të vogël personash brenda Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që ka kaluar vetting-un.

Kjo rrit edhe më shumë kontrollin politik të Ministrit të Brendshëm mbi këtë proces.