Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat ka folur për listat e hapura. Në fjalën e tij, Basha u shpreh se Rama nuk e ka seriozisht me listat e hapura, dhe shtoi se duhej një diskutim i gjerë dhe jo miratim në korrik pa asnjë diskutim.
Sipas kryedemokratit Edi Rama sot prishi në esencë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore pas deklaratës se është për hapjen e listave dhe rrjedhimisht ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Ai u shpreh se nga komunikimet që ka pasur ditën e sotme, ndërkombëtarët janë të shqetësuar për lëvizjen e kryeministrit Edi Rama për të hapur listat dhe ndaluar koalicionet parazgjedhore.
“Njeriu më i tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme. Tmerri dhe ankthi i Ramës për humbjen e pushtetit ka kohë që manifestohet me gjuhën dhe veprimet e tij, por sot ka arritur një majë papërgjegjshmërie që nuk e ka pasur as Ramiz Alia në ditët e fundit. Sot Edi Rama në esencë ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit, që u investuan forcat politike me dakordësinë e 14 janarit dhe ndërmjetësimin e SHBA-BE-së dhe Britanisë së Madhe. Në këtë marrëevshje ishte miratimi me konsensus i reformës zgjedhore.
Kreu i demokratëve shprehet se opozita është e vendosur të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore, në të cilën nuk përfshihen ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Rama për lista të hapura dhe pa koalicione.
Basha thotë se përgjatë këtyre ditëve, Rama i ka dërguar ndërmjetës për të bërë pazar, deklaruar se ai e shikon reformën si një lojë me porta të vogla për të vjedhur Shqipërinë.
“Nuk ka konsesus për ndryshimin e sistemit. Vetëm një budalla mund të besojë që që tha sot Rama që pikat që ai do të ndryshojë paskan nevojë për konsultimet me opozitën. Për kodin zgjedhor paska nevojë, për kushtetutën nuk e beson. Këtë nuk ka budalla në Shqipëri ta besojë. Për një muaj e gjysmë ai ka dërguar ndërmjetësit e tij me një mesazh, ti kryeministër, unë president vetëm të heqim koalicionet. Rama merakoset vetëm për pushtetin e tij. Rama e shikon reformën si një lojë me porta të vogla për të vjedhur Shqipërinë. PD kurrë nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Unë kam kërkuar një parlament me dy dhoma dhe dy valvula kontrolli. Rama kontrollon gjithë pushtetet dhe i përdor ato vetëm për pasurimin e tij”, tha Basha.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/384240022555356/
Kujtojmë se më herët ditën e sotme kryeministri Rama tha në një deklaratë për mediat se Partia Socialiste e mbështet hapjen e listave për ti dhënë mundësi çdo qytetari që të marrë pjesë dhe të zgjedhë preferencën e tij.
Gjithashtu ai ka theksuar se arsyet e vonesave ju i dini dhe kur në Kuvend ka hyrë në proces sipas të gjithave rregullave qoftë pasqyrimi pikë për pikë i marrëveshjes me opozitën jashtë parlamentare, qoftë edhe nisma e opozitës parlamentare.