Ka marrë fund arratia për ish-kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është ndaluar në një spital privat në Tiranë, ku u paraqit në gjendje të rëndë. Sipas Dosja.al Kajmaku, u ndalua teksa kishte shkuar për t’u kuruar në një spital dhe kanë qënë mjekët ata që kanë lajmëruar më pas Policinë, e cila bëri edhe ndalimin e tij. Është pikërish diabeti ai që e detyroi Kajmakun që të shkonte në spital për t’u kuruar duke hequr dorë nga liria. Aktualisht ai ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Agim Kajmaku ishte shpallur në kërkim që prej 11 nëntorit të vitit 2019 dhe prej afro një viti ai ndodhej në arrati. Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Fillimisht akzuat kundër Kajmakut u ngritën, pasi dyshohet se ai ka marrë vendime pasi KQZ kishte vendosur për shkarkimin e tij nga detyra.
Pasi KQZ kishte marrë vendimin kundër tij, ai ka shkarkuar nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij. Më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit. Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.
Akzuat ndaj Kajmakut janë: “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 të Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.