Rreth 120 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar tragetet e linjave nga porti i Durrësit ose 130 mijë udhëtarë më pak se në periudhën janar-qershor të 2019-ës. Këto shifra janë bërë sot publike nga Porti i Durrësit, i cili ka analizuar ndikimin e pandemisë në këtë sektor.
Sipas një njoftimi nga Porti bëhet me dije se shifrat e këtij 6-mujori janë shumë më të ulta se sa ato të vitit të kaluar kur udhëtuan me tragete afro 250 mijë pasagjerë. Kjo rënie lidhet me periudhën disamujore të pandemisë nga Covid 19, gjatë së cilës numri i lundrimeve drejt Italisë dhe anasjelltas u ul ndjeshëm.
Tragetet e linjave Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona e kthim gjatë periudhës janar-qershor 2020 kanë kryer 320 lundrime vajtje-ardhje, ose 148 lundrime më pak se sa në të njejtën periudhë të vitit 2019.
Përveç udhëtarëve tragetet kanë transportuar 372 mijë ton mallra me kamionë dhe trajlerë. Në 6 muaj tragetet transportuan gjithashtu 20,075 autovetura, 28,424 kamionë dhe 2,341 trailerë.
Ndërkohë që data 22 qershor 2020 shënoi hapjen e të gjitha linjave të transportit ndërkombëtarë të pasagjerëve, por vetëm për shtetasit italianë dhe të huaj të tjerë dhe shqiptarët janë rezidentë në Itali, kanë një vizë pune apo për arsye shëndetësore. E njëjtat mundësi lëvizje nga 22 qershori vlente edhe për qytetarët rezidentë në Shqipëri dhe shtetasit italianë që kanë një vizë pune në vendin tonë. Pra hapja e transportit detar u bë e kufizuar dhe jo për të gjithë, që do të thotë se turistët dhe qytetarët e thjeshtë që udhëtojnë me qëndrime 3 mujore në Itali dhe vende të tjera nuk do të mund të lëvizin dot më herët se 1 korriku 2020.
Sigurisht që kjo hapje e re e transportit detar të pasagjerëve ka sjellë lehtësime në kufizime, pasi më herët duhej një autorizimin nga Ministria e Jashtme në bashkëpunim me Ambasadën Italiane për të pranuar arsyetimin e lëvizjes drejt Italisë dhe sot nuk duhet më një autorizim i tillë.