Detaje tronditëse që ngjajnë me skena të një filmi horror kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që kalon kufijtë e imagjinatës, ku nënë e bijë u gjetën të pajeta në Kombinat, ndërsa vajza tjetër e familjes përfundoi në gjendje të rëndë në spital.
News24 raporton se nëna me të bijat, jetonin me qira prej 15 vitesh në një apartament në katin e 3-të të një pallati mbrapa ish-mapos në Kombinat, afër gjimnazit “Myslim Keta”.
Po ashtu mësohet se prej gati 2 vitesh, kjo familje thuajse jetonte e izoluar, ndërsa fqinjët e tyre thuajse nuk kishin kontakte, madje dyshonin nëse ato jetonin ende në atë shtëpi, pasi nuk bënin kurrë zhurmë. I vetmi që interesohej për to ishte vëllai i Zhanetës, i cili edhe para 3 javësh kishte tentuar të komunikonte me të motrën, e cila i shmangej kontaktit me të apo dhe vizitave në shtëpi. Duke qenë përballë kësaj situate, vëllai i 56-vjeçares, është paraqitur në polici, ku ka raportuar edhe sjelljen e çuditshme të familjes së motrës së saj. Për të verifikuar situatën nga afër, një patrullë policie është paraqitur në banesën e të ndjerës, ndërsa punonjësit e policisë e kishin pyetur Zhaneta Josifin nëse kishin ndonjë problem për faktin se pse rrinin të izoluara bashkë me vajzat. Nëna u kishte pohuar policëve se qëndronte brenda pasi ndiheshin të rrezikuara për shkak të koronavirusit dhe për arsye personale.
Po ashtu, bëhet me dije se vajza tjetër Blerta Josifi ndodhet në psikiatri, te “Urgjenca nr 5”. Akualisht ajo është më e qetë dhe po merr trajtim. Ndërkohë, mbrëmë ajo u gjet në banesën e saj pa ndjenja.
Ndërkohë, tronditëse është dëshmia e vajzës 34-vjeçare e cila u gjet në gjendje të rënda, pasi zjarrfikësit u futën në banesë.
Mësohet se ajo t’u ketë thënë ekspertëve: “Se keni idenë çfarë kaluam ne për të fituar ringjalljen”. Ndërkohë, ekspertët i gjetën viktimat të lyer me vaj e uthull e gjëra të lëngshme që të mos dekompozohej dhe të mos ndihej era. Pesë vite më parë, familja Josifi kishte humbur kryefamiljarin.