Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifimit, për shkarkimin e Alfred Gjonit, kreun e Gjykatës së Kurbinit.
Sipas njoftimit zyrtar, trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Luan Daci, Rezarta Schuetz anëtarë, ka vendosur të rrëzojë ankimin e Gjonit duke lënë në fuqi shkarkimin e tij.
Njoftimi i plotë
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Luan Daci, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.17/2019, datë 04.04.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Alfred Gjoni, kundër vendimit nr. 100, datë 14.01.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 100, datë 14.01.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Alfred Gjoni. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 26.06.2020.
Në muajin janar të një viti më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra kryetarin e Gjykatës së Rrethit Kurbin, Alfred Gjoni. Në seancën dëgjimore të zhvilluar disa ditë më parë, gjyqtari rezultoi me probleme sa i takon deklarimeve të pasurisë, lidhur me tre apartamente për të cilat rezultonte se nuk ka patur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar blerjen e tyre si dhe nuk kishte deklaruar tre automjete të tij dhe një udhëtim në Bruksel.
Gjithashtu, një nga shtyllat që e ka djegur Gjonin ka qenë sjellja e tij në disa çështje, që është cilësuar si jo korrekte. Madje një prej tyre është ulja e dënimit të Gentian Dodës, që ishte burgosur për vrasje të dyfishtë.