Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ditën e sotme ka nisur të shembë 40 biznese në Zvërnec, por janë ndeshur në kundërshtimin e pronarëve të tyre.
Këta të fundit janë shprehur se nuk janë njoftuar zyrtarisht për prishjen e bareve dhe restoranteve të tyre, për të cilat këtë vit nuk i kanë pajisur me leje shfrytëzimi.
Qeveria jonë mesa duket e harron shumë shpejt mbylljen totale për 3 muaj që pësuan bizneset si baret e restorantet për shkak të pandemisë së koronavirusit. IKMT ka nxjerrë fadromat për t’i shembur, në mes të sezonit turistik, duke lënë pa të ardhura shumë familje, të cilat e kanë ndërtuar me mund e djersë biznesin e tyre.
Pronarët e këtyre bizneseve janë shprehur se këtë vit ata gjenden në vështirësi ekonomike, ndaj edhe nuk e kanë aplikuar për lejen e shfrytëzimit. Këtë të fundit, ata e kanë marrë çdo vit, nisur që nga viti 2011.
Kjo ndërhyrje është cilësuar shumë e padrejtë nga pronarët, të cilët kërkojnë minimalisht që shembja e tyre të bëhen pasi të përfundojë sezoni, për shkak se kanë qenë të mbyllur përgjatë 3 muajve të pandemisë, por edhe për faktin se kanë kryer investime. Sipas tyre, IKMT-ja u ka lënë afat deri të hënën, por nuk ua ka dorëzuar një gjë të tillë me shkrim.
“Shumë ambiente, shumë lokale, kemi mbi 10 vjet që punojmë, që e kthyen nga një moçal në një vend shumë të mirë për të pushuar. Nuk na kanë ardhur lekët nga IKMT-ja, kanë ardhur në mënyrë verbale duke folur me gojë që këto objektet do shemben merrni masat, nga e hëna duhet të largohen.
Kërkojmë ndihmën e kryetarit të Bashkisë, ai është një nga qytetarët e këtij qyteti”, tha një nga protestuesit.
Ndërkohë që IKMT vazhdon të prishë bizneset e vogla, me të cilat janë ngritur me sakrifica nga individë të thjeshtë, duket se sytë i kanë mbyllur ndaj peshqve të mëdhenj, ndaj kompanive “Salillari dhe Gjikuria”që vazhdojnë të bëjnë shkatërrimin dhe gërryerjen e kanioneve në vendin tonë.
Denoncimet për këto dy kompani kanë qenë të vazhdueshme, por IKMT dhe ministri i Blendi Klosi vazhdojnë të mos reagojnë dhe të bëjnë njërin sy qorr për veprimtaritë e tyre shkatërruese ndaj mjedisit, për të cilat ministri Klosi bën thirrje të vazhdueshme për mbrojtjen e tyre, por më kot.
Në një video të publikuar nga “Report Tv”, duket se punonjësit e IKMT nuk njohin as rregullat e distancimit social edhe pse jemi në mes të një pandemie që i ka marrë jetën 51 personave në vendin tonë.
“Vijnë një ditë të bukur dhe na thonë duhet të largoheni deri në fund të javës, të paktën të kemi një letër zyrtare që më vonë të mund të hapim një gjyq, pse pikërisht tani në mes të sezonit duhen shembur, para 3 ditësh na kanë ardhur edhe dje na kanë ardhur dhe na kanë dhënë ultimatumin deri në fund të javës.
Kishim nisur investimet për këtë zonë, të paktën të rrimë deri në fund të sezonit. Janë rreth 40 biznese”, u shpreh një tjetër protestues ditën e sotme në Zvërnec.