Pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Hagës në drejtim të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, ka reaguar edhe presidenti i vendit Ilir Meta dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në një postim në Facebook, Meta shkruan se ” ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.”
Gjithashtu Meta shkruan se lufta e UÇK-së, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit.
Postimi në Facebook
Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë.
Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.
Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar.
Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri.
Ndërkohë që edhe Haradinaj është shprehur se beson në pafajësinë e presidentit Thaçi dhe në atë të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Po ashtu, Haradinaj në reagimin e tij në Facebook, shkruan se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër.
Postimi në Facebook:
“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë.”