Sot do të nisë punë transporti publik ndërqytetas, pas më shumë se tre muajsh bllokimi për shkak të situatës së shkaktuar nga koronavirusi.
Transporti do të nisë duke zbatuar të gjitha masat e përcaktuara si pjesë e parandalimit të koronavirusit.
Megjithatë, pavarësisht dritës jeshile, shoqatat e transportit kërkojnë plotësimin e disa kërkesave, ç’ka ka sjellë edhe nisjen e jo të gjithë transportit publik.
Autobusët nga Korça, Vlora, Shkodra e Fieri do të udhëtojnë sot drejt Tiranës, por edhe drejt qyteteve të tjera.
Ndërsa në Tiranë zbatimi i protokollit të sigurisë po bëhet pengesë për rifillimin normal të transportit.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi ditën e djeshme se transporti publik do të nisë ditën e sotme por vetëm duke zbatuar protokolle strikte.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur hapjen e transportit publik, por vetëm nën protokolle strikte, tashmë të miratuara, ku vendosja e maskës qoftë nga ata që shërbejnë apo nga qytetarët që e përdorin transportin publik, do të jetë e domosdoshme dhe nuk do të tolerohet asnjë thyerje e këtij rregulli”, tha Manastirliu ditën e djeshme në një lidhje “live”.
Por shoqatat e këtij sektori në Tiranë janë gati të rishikojnë kërkesat e tyre nëse protokolli ndryshon, në të kundërt ata kanë deklaruar se nuk e rinisin aktivitetin.
Unioni i Shoqatave të Transportit qytetas dhe ndërqytetas shprehen se nuk duhet që mbajnë ata përgjegjësi nëse pasagjerët nuk respektojnë rregullat.