Ditën e sotme, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ka akuzuar dhe ka sulmuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashës.
Ky i fundit, ditën e sotme ka vijuar turin e takimeve me fermerët në Baldushk, duke dëgjuar shqetësimet e tyre në lidhje me faturimet dhe krizën ekonomike në të cilën ata ndodhen.
Nga ana tjetër, Balla ka vazhduar me akuzat ndaj liderit të PD-së, ku shprehet se Basha ditën sulmon sipërmarrësit dhe natën firmos kontrata me kompaninë në pronësi të familjarëve të tij.
Sipas Ballës, këto janë të gjitha të vërteta, ndaj edhe Basha nuk ka reaguar kurrë për këto akuza të ngritura ndaj tij.
Kreu i grupit parlamentar ka shtuar se ky është një vendim i rëndësishëm që çmonton politikën e pisët të shpifjeve dhe “haraçit” nga ajo që ka mbetur nga ish-Partia Demokratike e Shqipërisë.
Përfitimet nga këto marrëveshje që Basha u ka parë hajrin natën, sipas Ballës arrijnë në miliona euro.
Mesazhi i Ballës:
Muaj më parë deputetët e Grupit Parlamentar Socialist Klotilda Bushka, Ervin Bushati dhe Elisa Spiropali zbuluan një skemë “haraçi”, sesi ditën Lulzim Basha sulmonte sipërmarrës të ndryshëm për kontrata publike dhe natën po këta sipërmarrës firmosnin kontrata private financiare me një kompani në pronësi të familjarëve të tij.
Lulzim Basha nuk ktheu asnjëherë përgjigje dhe nuk dha shpjegime për këto përfitime që shkojnë në disa milionë euro.
Gjykata e Tiranës zbardhi sot VENDIMIN që i cilëson gjetjet e deputetëve të vërteta. Ky është një vendim i rëndësishëm që çmonton politikën e pisët të shpifjeve dhe “haraçit” nga ajo që ka mbetur nga ish-Partia Demokratike e Shqipërisë.
Lulzim Basha duhet tu kthejë përgjigje protestuesve të Kuksit, të “Astirit”, që i thirri në protestë ditën, por natën i paska parë hajrin me kontrata pafund.
Në ndihmë të transparencës dhe pa e kaluar këtë çështje me kundërakuza bajate, e këshilloj t’i zbardhë vetë kontratat.