Pasditen e 1 nëntorit të 2019 atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja tronditi jo pak vendin tonë, ngjarje e ndodhur disa ditë pasi kryeministri Edi Rama e kishte sulmuar atë publikisht, duke e etiketuar si pjesë e një grupi “KCK”, (Kap ça të kapësh), në drejtësinë shqiptare.
Arjan Ndoja, bashkë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho) dhe Andi Malokun, shoferi i Ndojës, po udhëtonin nga Durrësi drejt Tiranës dhe në zonën e mbikalimit të Shkozetit, u qëlluan nga një makinë Benz, në ecje, ku dyshohet se ka qenë brenda Redjan Rraja.
Për pasojë, u plagosën të tre, por në gjendje më të rëndë ishte Andi Maloku, i cili u bë mbrojtja e prokurorit Ndoja në atentat dhe fatkeqësisht për shkak të plagëve të shumta, ai ndërroi jetë dy ditë më vonë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Së fundmi, babai i Andit, Genc Maloku, i ka dërguar një letër autoriteteve shqiptare, institucioneve ndërkombëtare, Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Evropian.
Genci Maloku thotë se nga ana e Policisë së Durrësit nuk u mor asnjë masë për të parandaluar ikjen e autorëve dhe shton se akoma nuk i është marrë ADN-ja të dyshuarit kryesor për ngjarjen, që tanimë është edhe i arrestuar, Orgest Bilbilit.
LETRA E PLOTË E GENCI MALOKUT:
Me anë të kësaj letre ju kërkojmë që të ndërhyni në gjendjen e paligjshme që po vazhdon në hetimin e çështjes penale në lidhje me atentatin kundër prokurorit Arian Ndoja, ku mbeti i plagosur ai vetë dhe shtetasi Aleksandër Laho dhe gjeti vdekjen djali im Andi Maloku. Që nga momenti i ndodhjes së ngjarjes janë vënë re një sërë paligjshmërish dhe mungesë angazhimi total i forcave të ndryshme të agjencive ligjzbatuese në lidhje me këtë ngjarje të rëndë të ndodhur.
1-Nuk janë ngritur postblloqe që në momentet e para dhe nuk është treguar kujdes në lidhje me këtë fakt, në kushtet e flagrancës.
Ka qenë pakujdesia e autorëve të kësaj ngjarje që ka lënë aq shumë prova dhe kjo ngjarje të shkojë drejt zbardhjes, pasi nga forcat policore ka qenë një neglizhencë e madhe, sidomos nga drejtoria vendore e Policisë Durrës.
2-Edhe deri më sot nuk ka asnjë informacion apo variant operativ në lidhje me autorët e ngjarjes dhe bashkëpunëtorët e saj, që të jetë nxjerrë nga kjo drejtori me qëllim që të ndihmohet hetimi. Nuk mund te mbahet peng hetimi me argumentin se s’ka lente laboratorike për nxjerrjen e analizës se ADN-së.”
Kujtojmë se më 18 maj, Genci Maloku i dërgoi edhe SPAK një kërkesë për të parë pamjet filmike të atentatit të Shkozetit.