Parashikimet e fundit të motit tregojnë për ndryshim të temperaturave dhe përmirësimit të tyre. Sipas meteorologëve nga mesnata deri në të gdhirë të ditës së enjte, në zonat e thella malore ka rënë gjysmë metri borë. Pra pritet që përmirësimi të ndodhë në gjysmën e dytë të muajit janar.
Deri më tani për shkak të kohës së keqe është pezulluar mësimi në plotë 280 shkolla në të gjithë vendin duke filluar nga Tropoja e Dibra e deri në Gjirokastër, Korçë e Pogradec.Sipas Ministrisë së Arsimit, në shkollat e mbyllura, zëvendësimi i orëve do të bëhet në ditët në vazhdim.
Sinoptikanët ndërkohë të pyetur nga Top Channel kanë bërë një parashikim të përgjithshëm ku Adiola Bani ka thënë:
“Pritet që deri në fundjavë ne të marrim një sasi të konsiderueshme reshjesh dëbore, duke arritur deri në një metër në zonat e thella malore, ndërsa bregdeti do të ketë reshje shiu. Në fundjavë do të ketë ndërprerje të reshjeve, por rënie temperaturash në -8 apo -9 gradë”.
Meteorologia thotë se reshjet janë gjeneruar si pasojë e një sistemi të dendur vranësirash që kanë përfshirë vendin tonë.
“Në gjysmën e dytë të janarit temperaturat do të vijnë drejt rritjes”, – tha meteorologia Bani.