Skip to content
Të Gjitha

“Rrezikojmë të bëhemi i pari vend pa transport publik”, Shoqata e Transportit sërish në protestë: Të plotësohen kërkesat tona!

· 3 min lexim

Shoqata e Transportit ditën e sotme është ngritur sërish në protestë.

Ata bëjnë thirrje për plotësimin e katër kërkesave të reja.

Operatorët vijojnë të këmbëngulin në heqjen e akcizës së naftës, rimbursimin e 30%, rimbursimi për kategoritë falas dhe heqja e TVSH-së për 2020-ën dhe vendosja e TVSH-së 6% për vitin e ardhshëm.

Vlen të përmendet se gjatë kësaj periudhe pandemie, nuk është ndihmuar në asnjë formë biznesi i transportit, përjashtuar taksës vjetore të mjeteve ( TVMP) për vitin 2020.

“Edhe ne ekzistojmë, duhet marrë më seriozisht transporti. Asnjëri nga ju nuk është qartë si do funksionojë kapaciteti 70%.

Asnjë operator nuk ka thënë rritje të biletës. Për ne të gjithë mund të udhëtojnë falas, nëse na rimburson shteti.

Pikat e kryeministrit janë ndihmesë po jo zgjidhje për transportin. Është një ndihmë shumë minimale, edhe taksat, është hap shumë i mirë, por jo zgjidhje e problemit”, tha njëri prej operatorëve.

Në një komunikim për gazetën “Reforma.com”, Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe Rrethqytetas ka parashtruar sërish kërkesat zyrtare të operatorëve, drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrive të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe asaj të Financave.

Kjo kërkesë përmban 6 pika të rëndësishme që duhet të miratohen nga kabineti qeverisës.

KËRKESAT:

Heqjen e akcizës për blerjen e naftës nga shoqëritë e transportit publik;

Njohjen e shpenzimit të zbritshëm 100% për naftën pasi është lënda jonë e parë;

Subvencionimin e 50% të ngarkesës direkt në llogaritë e shoqërive të transportit duke marrë parasysh lejen e udhëtimit për të kuptuar sa kapacitet ka një mjet;

Zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0 % për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e sektorit të turizimit 6% pasi dhe transporti është një nga hallkat e tij;

Faljen e taksave vendore të mjeteve për vitin 2020;

Të merren masa urgjente nga strukturat kompetente shtetërore, për luftimin e transportit të udhëtarëve me mjete informale, të cilat  kanë vazhduar pa ndërprerje aktivitetin e paligjshëm!

Një tjetër operator u shpreh, se nëse nuk plotësohen kërkesat, rrezikojmë të bëhemi i vetmi vend pa transport publik.

“Rrezikojmë të bëhemi i pari vend pa transport publik. Merrini me vullnet pozitiv, janë kërkesa që nuk kërkojnë para po mbështetje. Ne nuk kërkojmë rritje të biletës”, tha ai.

Ndërsa përfaqësuesi i operatorëve turistikë, kërcënoi, se nuk plotësohen kërkesat, nuk do të presë asnjë charter me turistë.

“Në bllokojmë transportin për çdo turist. Nuk do presim asnjë charter nëse kërkesat nuk realizohen”, u shpreh ai.