Dy vitet e fundit në vendin tonë u rritën vetëvrasjet. Sipas “Monitor” 216 persona kanë humbur jetën nga vetëvrasjet në vitin 2019, ose e thënë ndryshe 2.3 për qind më shumë në raport me një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i personave të vetëvrarë arriti në 7,5 për 100 mijë banorë nga 5,4 që ishte në vitin 2016.
Numrin më të lartë të vetëvrasjeve e kanë burrat, por vihet një rritje e fenomenit edhe tek gratë me 14 për qind më 2019.
Më të ekspozuar ndaj vetëvrasjeve ishte grup-mosha 55-69 vjeç me 28 për qind të totalit të vetëvrasjeve, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të lartë në raport me popullsinë, raporton monitor.
Bien vetëvrasjet e të rinjve
Vetëvrasjet përfshijnë të gjitha grup-moshat e popullsisë, por tek adoleshentët ato kishin pësuar rritje vitet e fundit për shkak edhe të ndikimit negativ të rrjeteve sociale.
Por gjatë vitit të kaluar vetëvrasjet në moshat e reja shënuan rënie të ndjeshme me 34 %, me gjithsej 25 persona nga 38 të rinj të vetëvrare më 2018.
Numri më i lartë i vetëvrasjeve ishte për moshën 55-69 vjeç me rreth 60 persona ose 28 për qind të totalit dhe në grup-moshën 40-54 vjeç me rreth 22 për qind të totalit.
Zakonisht në këto grup-mosha vetëvrasjet shtyhen nga arsye ekonomike dhe përfaqësojnë kryefamiljarë që nuk ja dalin dot të mbajnë familjen.
Më tej numri më i lartë ishte për grup-moshën mbi 70 vjeç me rreth 44 persona ose 20 për qind e të vetëvrarëve më 2019.
Vitet e fundit numri i pleqve që jetojnë vetëm është rritur, teksa të moshuarit janë më ekspozuar ndaj depresionit.
Gjirokastra, Berati me vetëvrasjet më të larta, Kukësi më të ulëtat
Qarqet e Gjirokastrës, Beratit dhe Lezhës kishin nivelin më të lartë të vetëvrasjeve në vitin 2019.
Në raport me popullsinë Gjirokastra shënoi 13 vrasje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Berati me 12,8 persona të vetëvrare për 100 mijë banorë dhe Lezha me 12.
Në krahun tjetër Kukësi, Elbasani dhe Tirana kishin numrin më të ulët të vetëvrasjeve, përkatësisht me 3,6, 5,1 dhe 5,8 për 100 mijë banorë, duke rezultuar edhe shumë poshtë mesatares kombëtare.