Ditën e sotme 4 anëtarët e Këshillit Politik kanë zhvilluar një takim me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, atë të BE, Luigi Soreca, ambasadorin britanik Duncan Norman, dhe një përfaqësues të OSBE.
Ky ishte takimi i dytë i tyre pasi po sot u mblodhën dhe gjatë mesditës, kur takimi u ndërpre kur Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili shkuan për rreth një orë në selinë blu për t’u konsultuar.
Pas takimit ambasadorët kanë dalë në një deklaratë për mediat, ku ambasadorja amerikane është bërë progres dhe shtoi se të gjitha palët politike duhet të japin nga vetja që të integrohet Shqipëria në BE.
Së fundmi, deputetja dhe bashkëkryetarja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari ka dhënë detaje lidhur me takimin e zhvilluar ditën e sotme me diplomatët e huaj që zgjati 9 orë.
E ftuar në emisionin “Opinion”, Hajdari u shpreh se e vetmja pikë ku ka mbetur bisedimi është ajo e depolitizimit të administratës.
“Administratën e kemi si çështjen më kyçe, PD do depolitizimin e pjesshëm. Teknologjia u zgjidh. Unë insistova deri në fund për sistemin. Doja të më thonin se ku qëndronin për ndryshimin e sistemit. Sistemi zgjedhor është akoma në tavolinë. Palët e kanë në dorë, PD dhe PS po i rezistojnë shumë. Unë kam qënë e hapur me publikun. Unë jam aty për ndryshim sistemi. Ato nuk e ka dhënë në mënyrë të hapur, në tryezë mundohen që të shmangin çështjen e sistemit. Ka rënë qeveria kujdestare. Do të ketë identifikim biometrik në të gjithë vendin. Ndërkombëtarët janë shtytës, investohen për të lëvizur palët,”-tha në fjalën e saj, Hajdari.
Pas disa muajsh mbledhjesh dhe diskutimesh Këshillit Politik i Reformës Zgjedhore dështoi, pasi më 31 maj, ditë e cila ishte edhe afati i fundit i kësaj Reforme, palët nuk u darkordësuan për çështjen e teknologjisë, rolin e Gjykatës Kushtetuese, administratën zgjedhore dhe qeverinë kujdestare.
Në përfundim të mbledhjes, opozita dhe maxhoranca shkëmbyen akuza me njëra-tjetrën, ndërsa Rudina Hajdari bëri të gjithë fajtorë për dështimin.