Qeveria ka miratuar në mbledhjen e 13 majit të Këshillit të Ministrave garancinë e dytë sovrane me vlerë 15 miliardë lekë dhe me normë interesi deri në 5%.
Bizneset do të kenë mundësi të marrin deri në 300 milionë lekë, për investime dhe likuiditet dhe për 6 muaj nuk do të paguajnë principal, por vetëm interesin e kredisë.
Garancia sovrane është për sektorët e turizmit, fasonët dhe bizneset prodhuese dhe nuk do përdoret për paga, por për investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar.
Mirëpo, garancia e dytë sovrane ende nuk është firmosur nga të gjitha bankat e nivelit të dytë dhe deri më tani janë vetëm 8 nga 12 banka që e kanë nënshkruar marrëveshjen e garancisë për t’i hapur rrugën këtij procesi.
Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj në Komisionin e Ekonomisë.
“Sa i takon garancisë së dytë sovrane ne kemi firmosur para një jave marrëveshjen me 8 nga 12 bankat të cilat janë duke i sjell në Ministrinë e Financave edhe firmosjet e fundit dhe meqenëse është një format i ri jo vetëm për shumën por edhe analizën financiare sepse është risku i ndarë, por edhe për fokusin vetëm pagën dhe bordero kërkon një analizë risku, analizë se ku do të shkohet në ecurinë ekonomike të këtij biznesi”, tha Anila Denaj në Komisionin e Ekonomisë.
Por, cilat janë shkaqet e kësaj vonese?
Sipas saj, një shkak për këtë vonesë është bërë analiza e riskut që po zhvillojnë bankat, për këtë garanci, pasi ato marrin përsipër 40% të riskut, por do të mund të kërkojnë edhe kolateral nga biznesi, pjesa tjetër, prej 60% e kredisë mbulohet nga shteti.
E dyta, sipas asaj që Denaj tha, është se bankat nuk po bëjnë vetëm analizën e riskut por edhe një analizë financiare se ku do të shkohet me ecurinë ekonomike të këtij biznesi pas marrjes së kredisë, dhe nëse do të kenë mundësi ta kthejnë atë.
“Banka do të bëjë një analizë të mirëfilltë që as të mos kemi kushte ku pas një viti garancia sovrane të preket, dhe që është obligimi i joni që garancia të mos preket, të paktën duke punuar me bankat që politikat e tyre të riskut të jenë sa më të shëndetshme, por mbi të gjitha të kemi mundësinë që ajo para që hidhet dhe ai likuiditet i shtuar në tregun e sektori financiar të përdoret sa më mirë dhe të ketë vlerë të shtuar për të rritur dhe dinamizuar ekonominë jo vetëm sot por për gjithë muajit në vijim”, deklaron ministrja.