Komisioni i Ekonomisë bëri sot me dije se Ministria e Financave ka hartuar një projektligj për marrjen e huasë në vlerën e 650 milionë euro, në një afat midis 7 deri në 10 vjet.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj, shpjegoi borxhin e marrë për të shlyer një borxh tjetër të marrë në vitin 2015, ndërsa pjesa e mbetur do të shkojë për nevojat e financimit në vitin 2020.
“Eurobondi u planifikua dhe filloi puna përgatitore në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe u lllogarit që të dilte në maj apo qershor të këtij viti. Ky Eurobond konsiston në marrjen e një shume prej 650 milionë eurove në një afat 7-10 vjet. fillimisht do t shlyhet apo rifinancohet eurobondi i marrë në vitin 2015, në vlerën e 250 milionë eurove. Ndërsa pjesa e mbetur do të shkojë për të plotësuar nevojën për financim të vitit 2020. Siç e theksova më herë ky projektligj është planifikuar që në vitin e kaluar. Kjo shumë është relativisht e ulët dhe ne kemi gjykuar që është e mjaftueshme për të dalë në këtë moment nga kriza financiare dhe për të arritur rezultate të kënaqshme,”– tha Denaj ndër të tjera.
Ministria shtoi më tej se këtë gjë e ka bërë edhe shteti i Maqedonisë së Veriut, gjë të cilën e solli si shembull pozitiv.
“Maqedonia e Veriut mundësoi emetimin e një eurobondit të shtatë në vlerën e 700 milionë euro me afat maturimi 6-vjeçar dhe me normë interesi prej 3.675% që është interesi i dytë më i ulët pas 2018-s. Kjo u vlerësua si e sukseshme dhe më lejoni ta theksoj këtë gjë. Kjo na jep njëfarë sinjali,”– shtoi Denaj më tej.