Gjykata e Apelit të Catanias ka vendosur që seanca e radhës për Moisi Habilajn të mbahet në datën 17 qershor, teksa gjatë këtyre ditëve prokurori i çështjes do diskutojë motivet e akuzës.
Kujtojmë se më 28 maj, Gjykata e Apelit në Catania, e nxorri Moisi Habilajn nga burgu, duke e vendosur në “Arrest shtëpie”.
Në shkallën e parë të gjykimit, Habilaj u dënua me 15 vjet dhe 5 muaj burg.
Habilaj ishte në paraburgim që nga tetori i vitit 2017, por vetëm në muajt e fundit kishte pranuar pjesërisht përgjegjësitë e tij, ndërkohë që në Shqipëri, ende vijon gjyqi për ish-ministrin e Brendshëm.
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi Saimir Tahiri me 5 vite burg, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul me 1/3 dhe u caktua 3 vite e 4 muaj burg, që gjykata më pas e konvertoi në 3 vite shërbim prove.
Tahiri paralajmëroi që asokohe se do ta apelonte vendimin dhe do të fitonte pafajësi.
Tanimë ai pret ditën e gjyqit në Apel që për shkak të koronavirusit është shtyrë, ndërkohë që në ‘skenë’ është shfaqur edhe ish-kryepolici i Vlorës, Jaeld Çela, i cili u vetëdorëzua pas 3 viteve në arrati.