Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po vijon turin e saj për firmosjen e peticionit dhe është ndalur ditën e sotme në Pogradec.
Tubimi po mbahet tek sheshi i Pallatit të Kulturës dhe të pranishëm janë Edmond Budina, Robert Budina, Mehdi Malkaj, Adriana Tolka dhe Juli Emiri.
Ndërkohë Aleancës i janë bashkuar në protestë edhe qytetarë dhe aktivistë, të cilët nën logon “Demokracia nuk është dhuratë, demokracia është kusht” janë sensibilizuar me artistët që ishin kundër prishjes së Teatrit Kombëtar.
Gjatë fjalës së tij,një nga figurat kryesore të rezistencës për Teatrin, regjisori Robert Budina është shprehur se ndërtimi i Teatrit do të jetë ndryshimi përfundimtar i tranzicionit të gjatë në Shqipëri.
“Ndërtimi i Teatirt do të jetë ndryshimi përfundimtar i këtij tranzicioni të gjatë në Shqipëri. Me të kthyer Teatrin ne do të kemi vënë gurin e qëndresës së përjetshme. Nuk do të ketë më asnjë pushtet që do të shkelë mbi artistët dhe qytetarët e vetë“, u shpreh Budina.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka qenë deri tani në Shkodër, Kukës, Burrel, Lezhë dhe Lushnjë, ku zhvilluan edhe tubimet përkatëse.
https://www.facebook.com/110243613751205/videos/3417682134932609/
Kujtojmë se disa ditë më parë kryeministri Edi Rama akuzoi AMT se do kthehet në një parti politike.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit prej shembjes së godinës ka zhvilluar 3 protesta në Tiranë dhe ka nisur një tur në Shqipëri me të cilin synohet që të mblidhen firma nga qytetarë e artistë për rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte ashtu siç ishte, por rindërtimit është një premtim dhe i Lulzim Bashës.
Mëngjesin e 17 majit me vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, u shemb godina e Teatrit Kombëtar, vendim ky i pasur me dy protesta të njëpashnjëshme, të cilat është përdorur edhe dhuna policore ndaj qytetarëve.
Opozita ka mbështetur protestat dhe ka thënë se tashmë do të përkrah çdo tubim të qytetarëve, pasi sipas tyre është kaluar vija e kuqe.
Pas shembjes, kryebashkiaku Erion Veliaj kërkoi bashkëpunim me artistët, ndërsa kryeministri Edi Rama premton se godina e re do të jetë moderne dhe do plotësojë të gjithë kërkesat e aktorëve.
Sakaq, nuk kanë munguar edhe reagimet nga ndërkombëtarët, që kanë kritikuar dhe dënuar shembjen e Teatrit.