Një person i paidentifikuar qëlloi drejt disa personave ndërsa mësohet se edhe shtetasi që mbeti dje i plagosur, Paulin Gjergji, 53-vjeç ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës.
Ngjarja ndodhi përpara sheshit të një hoteli në afërsi të kryqëzimit të Gjormit.
Viktimë nga ngjarja ka mbetur edhe biznesmeni Bujar Lika (Hasani) ndaj të cilit u krye atentati.
Një tjetër person ka mbetur i plagosur dhe është shtetasi 21-vjeçar, Kreshnik Tusha ndërsa nuk ka ende informacione për gjendjen e tij.
Nga informacionet e deritanishme bëhet me dije se Bujar Lika ka qenë i përfshirë në vrasjen e 2015 në zonën e Linzës ku në parkingun e një restoranti u ekzekutua me plumb në kokë, Enton Nikaj.
Kjo ka bërë që policia të ngrejë si pistën kryesore të hetimit, një hakmarrje për ngjarjet e së shkuarës. Lika në 2016 mundi të sigurojë pafajsinë nga gjykata e Apelit lidhur me vrasjen e Nikajt.
Lika njihej po ashtu edhe për lidhje të forta miqësore me kreun e një grupi kriminal kryesisht në fushën e lojrave të fatit.