Një shpërthim me tritol ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, pranë hotelit të babait të Ervin Matës, biznesmenit Luan Mata.
Sipas njoftimit të policisë, lënda plasëse ka shpërthyer mes godinës së hotelit “Victoria”, dhe një lokali që ndodhet aty pranë.
Detaje të tjera rreth ngjarjes së djeshme janë bërë publike nga Policia.
Sipas tyre tritoli ishte hedhur në një rrugicë mes hotelit të Ervin Matës dhe një lokali, ndërsa ka dëmtime materiale tek të dyja objektet.
Lajmi i mirë është se nuk raportohen të plagosur.
Kujtojmë se biznesmeni Ervin Mata u vetëdorëzua në Polici më 2 Mars 2019 pasi prej 6 muajsh kërkohej nga autoritet për vrasjen që ndodhi në zonën e ish-Bllokut, ku pas një përplasje me armë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.
Mata në dëshminë e tij në polici mohoi të ketë qëlluar me armë.
Ndërsa fshehjen për gati 6 muaj, e argumentoi me faktin se ishte larguar pasi ishte i frikësuar.
Mësohet se lokali afër hotelit të Matës, ishte në pronësi të shtetasit Klevis Gozhita.
Ndërsa sipas informacioneve të siguaruara nga “Report Tv” mësohet se në rrugicën ku ndodhi shpërthimi me tritol, në cepin anësor të hotelit “Victoria” që e zotëron familja e Ervin Matës, nga hyrja e rrugës kryesore, autorët shkuan me makinë, nuk zbritën, por nga dritarja e saj hodhën tritolin, i cili shpërtheu pas 4 minutash.
Tiranë/Informacion paraprak:
Më datë 30.05.2020, rreth orës 22:40, në një rrugicë të ndërmjetme midis një lokali dhe një hoteli në rrugën e “Dibrës”, ka shpërthyer një sasi e dyshuar si lëndë plasese.
Si pasojë e shpërthimit nuk ka asnjë të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale tek të dy objektet.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.