Ministri për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka dhënë ditën e sotme një tjetër lajm, që e ka cilësuar si shumë të mirë për shumë shqiptarë.
Në një status në Facebook, Cakaj ka bërë me dije se grupi negociator për bisedimet e aderimit në BE është ngritur.
Më tej, ai shton se grupi negociator përbëhet nga një skuadër e rrallë profesionistësh të të gjitha fushave.
Sipas ministrit, bashkëpunimi duhet t’i bashkojë të gjithë, pavarësisht dallimeve partiake.
Pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama, gjatë një konference të përbashkët me ambasadorin e BE në vendin tonë, Luigi Soreca, bëri me dije se kryenegociatori i Shqipërisë për bisedimet me BE-në është Zef Mazi.
Postimi i plotë
Një lajm i mirë më shumë për Shqipërinë… Ne tashmë kemi ngritur grupin negociator të Shqipërisë, përgjegjës për zhvillimin e bisedave të aderimit në Bashkimin Evropian! Grupi negociator, i përbërë nga një skuadër e rrallë profesionistësh të të gjitha fushave, do të kryejë detyrën e lartë për të zhvilluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky grup gëzon profesionalizmin e nevojshëm e integritetin e duhur për ta udhëhequr këtë proces! Puna e tij duhet të mbështetet nga të gjithë pa përjashtim, ashtu sikurse bashkëpunimi në fushën e integrimit duhet t’i bashkojë të gjithë, pavarësisht dallimeve partiake, sepse synimi për anëtarësim në BE është interes themelor e vlerë kombëtare e Shqipërisë.
https://www.facebook.com/2297677960501832/posts/2630516947217930/