Pas 4 orësh Këshilli Politik ka përfunduar takimin e radhës në Pallatin e Kongreseve, teksa mësohet se palët janë dakordësuar për disa pika.
Më herët raportuam se palët kanë rënë dakord për praninë e Policisë në procesin zgjedhor dhe vendosjen e sistemit të monitorimit me kamera të gjitha qendrat e votimit dhe numërimit, teksa bëhet me dije se po ashtu është rënë dakord dhe pë vendosjen e oficerëve të policisë në sallat e numërimit të votave.
Megjithatë, duket se maxhoranca dhe opozita kanë ende probleme të pazgjidhura, pasi nuk kanë rënë dakord për vendosjen e një ministri teknik 100 ditë para zgjedhjeve, si garanci për një proces të rregull zgjedhor.
Po ashtu, ka patur përplasje edhe për teknologjinë në zgjedhje, pasi maxhoranca nuk është dakord për identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik.
Mbledhja e radhës do të zhvillohet nesër dhe mësohet se në tryezë do të diskutohet dhe për sistemin danez që është propozuar nga ambasada e SHBA në Tiranë.
Synimi i vendosur nga vetë palët politike për të përmbyllur reformën zgjedhore brenda 31 majit, por edhe rritja e presionit ndërkombëtar dhe sidomos SHBA që kjo reformë të mbyllet brenda muajit, ka intensifikuar takimet e Këshillit Politik, ku gjatë kësaj jave takimi i sotëm i pasdites është i dyti që po zhvillohet.
Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik të reformës zgjedhore është Rudina Hajdari, përfaqësuesi i mazhorancës Damian Gjiknuri dhe përfaqësuesit e PD-LSI, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.
Ditën e sotme ambasadorja Yuri Kim pritet të takojë anëtarin e fundit politik të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, Petrit Vasili, pasi raportohet se ka takuar një e nga një Damian Gjiknurin si përfaqësues i mazhorancës, Oert Bylykbashin si përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare, Rudina Hajdarin “zërin” e opozitës së re, dhe së fundmi do takojë edhe Petrit Vasilin.
Kujtojmë se pak ditë më parë palët politike u dakordësun për 3 çështje; periudhë zgjedhore, kuotat gjinore dhe financimin e partive, ndërsa opozita theksoi se këto nuk janë çështjet më të rëndësishme.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, teksa reagoi sot, pohoi se po ndiqet me interes të veçantë përpjekjet e partive për kompromis për çështje të rëndësishme, që OSBE i ka vlerësuar si problematika për shumë vite.